Lajme

Në mungesë të ujit bujkut nga Deçani i shkon huq puna me lakra

Armend Çekaj, ka tre vjet që i ka hyrë seriozisht punës në bujqësi.

Duke parë që në fshatin e tij të lindjes ka mungesë të madhe të ujit, ai vendosi të marrë me qira një tokë në një fshat tjetër të Deçanit, pasi ishte afër sistemin e ujitjes, raporton KTV.

Ai thotë se uji është komponenti kryesor i rritjes së kulturës bujqësore të lakrës, për kultivimin e së cilës madje edhe punësoi dy persona.

Nga 30 ari, Armendi mori edhe 30 ari të tjera me shpresë se problemet që i kishte me ujin nuk do t’i përsëriteshin më, por situata nuk ndryshoi.

Në mungesë të ujit, ai thotë t’i ketë dështuar i tërë investimi i bërë, edhe pse disa herë i kishte paralajmëruar punëtorët e kompanisë që t’ia siguronin ujin në kohën e duhur dhe për të kishte paguar paraprakisht shumën e kërkuar.

Armendi thotë të jetë dëshpëruar tej mase me një situatë të tillë që e ka vënë para dilemës nëse ia vlen të merret me bujqësi.

Nga ana tjetër, drejtues të kompanisë së ujitjes Drini i Bardhë kanë thënë të mos kenë arritur asnjë marrëveshje me bujkun e lartpërmendur.

Ata kanë deklaruar se përmes njësisë në Deçan u kanë kërkuar bujqve që të bëjnë kontratat, në mënyrë që në kohën e kërkuar t’u ofrohen shërbimet e ujitjes, ndërsa sipas tyre, të enjten menaxheri i njësisë në këtë komunë i ka premtuar bujkut që sipas mundësive, do t’i ofrohet uji për të kryer ujitjen.

Ministria e Bujqësisë është në bisedime me Bankën Botërore për të siguruar një grant përmes të cilit do të kryente investimin për sigurimin e ujitjes për bujqit si një prej faktorëve shumë të rëndësishëm në zhvillimin e këtij sektori.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*