Ekonomi

Në Kosovë do të prodhohet naftë

Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim, përmes të cilit synohet që një kompanie “ti japë” rreth 1/3 e territorit të Kosovës për të hulumtuar qymyr e bitum si dhe të prodhojë naftë.

Kompania e regjistruar në Kanada dhe që udhëhiqet nga Gjenerali Wesley K. Clark, synon që në fazat e para të prodhojë afro 3.5 milionë litra naftë në ditë në Kosovë.

Gjenerali amerikan në pension, Clark, kur ishte komandat i forcave ushtarake të NATO-s për Evropën, për tre muaj kishte drejtuar fushatën ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake ish- jugosllave.

Me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës e ka miratuar vendimin e Komitetit për Partneritet Publiko Privat me kompaninë në fjalë. Vendimi është përcjellë në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Përderisa Kuvendi i Kosovës ka nisur procedurat, projekti i kompanisë Envidity është shqyrtuar në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik me ç’rast anëtarët e Komisionit patën shumë dyshime.

Vendimin e qeverisë para anëtarëve të Komisionit e arsyetoi ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke u shprehur se kompania Envidity do të bëjë me miliarda dollarë investime e do të krijojë mijëra vende pune.

“Në fazën e parë do të investojë 130-150 milionë dollarë, në fazën e dytë do të investojë 1.8 – 2 miliardë dollarë dhe në fazën e 3-të, janë 5 miliardë dollarë dhe parashihen me mijëra vende pune.”

Envidity do të prodhojë naftë duke përdorur teknika të veçanta, njoftoi ministri Hoti.

”Projekti ka të bëjë me gazifikimin e thëngjillit nëntokësor përmes metodës teknologjike, e cila mundëson prodhimin e naftës sintetike, nga gazifikimi i thëngjillit.”

Envidity do të implementojë projektin në dy faza. Në dy fazat e para synohet të prodhohen 21.200 fuçi, apo mbi 3 milionë litra naftë në ditë. 

“Në fazën e parë kompania synon të prodhojë 1200 fuçi derivate për ditë, kurse në fazën e dytë synon të prodhojë 20.000 derivate në ditë”, njoftoi Hoti.

Kurse në fazat e mëvonshme, “Envidity Kosovo”, synon të prodhojë edhe deri në 100,000 fuçi nafte në ditë, ose 15 milionë litra.

Por për anëtarin e komisionit nga LDK-ja, Blerim Grainca, kompania në fjalë nuk është bindëse sepse është themeluar vonë dhe nuk ka përvojë në këtë fushë.

“Sepse një kompani sikur kjo Endevity është e themeluar në vitin 2013, ka 0 euro qarkullim, e të bëjë 8 miliardë euro investime në 4 vitet e ardhshme mendoj se pas një vendimi duhet kërkuar burime të financimit, sepse është një dilemë.”

Edhe Pal Lekaj nga AAK ka shprehur shumë dyshime për Endevity, por edhe për Projektin e Kompanisë “Sharr Cem” dhe “Titan Amerika”, i cili po ashtu u prezantua para anëtarëve të Komisionit.

“Nuk ka shënim sa është pronë publike, sa është pronë private, se a ka biseduar kush me këta banorë edhe a janë pajtuar. Dhe tjetra që lë hapësirë të dyshuar për manipulime sepse ti i largohesh tenderimit.”

Rezerva ka shprehur edhe Fatmir Rexhepi nga LDK duke thënë se projektet e vlerësuara si strategjike kanë dështuar deri sot dhe është paguar kosto e lartë.

“Nuk është e lehtë me marrë vendimin sot për arsye se përvojat e deritanishme në të gjitha negociatat, unë sa mbaj mend që 15 vjet, për projektet që i kemi quajt strategjike, pa marrë parasysh a kanë të bëjnë me PTK apo projekte të tjera, kemi dështuar në të gjitha dhe kemi paguar kosto jashtëzakonisht të madhe.”

Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Besim Becaj, ishte pro Endevity-t, por kishte rezerva sa i përket projektit të Sharr Cemit dhe Titan America. Edhe kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa, ishte pro miratimit, por për shkak se shumica kishin rezerva dhe donin më shumë kohë për të menduar, u vendos që të afrohen qëndrimet përmes rekomandimeve që do të dërgohen në Kuvend.

“Për të ndihmuar Kuvendin me marrë vendime do t’i formulojmë rekomandimet, me kujdes, do ta dëgjojmë edhe njëherë debatin, do t’i shqyrtojmë të gjitha, në mbledhjen e ardhshme e miratojmë.”

Edhe pse u vendos që të afrohen qëndrimet e anëtarëve të Komisionit përmes argumenteve, kryetari Mustafa tha se qeveria tashmë ka vendosur, dhe vendimi i është përcjellë Kuvendit, ku deputetët do të kenë mundësi ti shprehin mendimet e tyre për projektin.

***

Sigurimi i depozitave ka rëndësi të veçantë për stabilitetin financiar, është thënë gjatë prezantimit të një studimi për “Sigurinë e Depozitave në Kosovë”. Sipas studimit del që Kosova e ka nivelin më të ulët të mbulueshmërisë së depozitave të qytetarëve nëpër bankat e vendit.

Përderisa në Kosovë sigurohen depozitat deri në 4 mijë euro, në Shqipëri sigurohen në vlera deri në 18 mijë, apo në Maqedoni 30 mijë euro.

Kurse standardin e BE-së që të sigurohen depozitat deri në 50 mijë euro, e kanë arritur Serbia e Mali i Zi, që sigurojnë deri në këtë shumë, kurse Kroacia depozitat i siguron deri në 100 mijë euro.

Guvernatori i BQK-së Bedri Hamza, tha se sigurimi i depozitave ka rëndësi, për arsye se përveç që ndikon në stabilitetin financiar, njëherit rrit besimin e depozitarëve në sistemin bankar.

“Ngjashëm me shumicën e vendeve në botë edhe Fondi për Sigurimin e Depozitave të Kosovës është mandatar që në kohë optimale të bëjë rimbursimin e depozitorëve në nivelin e shumës së  siguruar që nuk merë pjesë në mënyrë direkte në vendim-marrje mbi masat detyruese apo përmirësuese ndaj bankave, por pavarësisht kësaj ajo mbetet lojtar kyç në menaxhimin e krizës eventuale bankare.”

Ministri i Financave Avdullah Hoti ndërkaq, u shpreh paksa i pakënaqur me nivelin e depozitave brenda sektorit bankar.

“Me 2.5 miliard depozita dhe me një strukturë sa i përket afatit kohor të depozitave jo shumë të volitshme i parandalojnë bankat të ndërmarrin aktivitete të kredi-dhënies që janë shumë më intensive.”

Ibrahim Rexhepi nga Stras, që ka publikuar këtë studim, ka ofruar disa rekomandime.

“Që duhet të punohet më shumë drejt arritjes së direktivës evropiane, këtu nuk e kemi fjalën aq shumë në arritjen e limiteve, shifrave, sa ndërtimi i sistemit të qëndrueshëm, kompatibil që kërkohet e që është instaluar në vendet e BE-së.”

Sidoqoftë, sa i përket shkallës së mbulueshmërisë, Kosova nuk qëndron edhe aq keq me rajonin, pasi që me Fondin e Sigurimit mbulon 5 % të depozitave, ndërkaq në Serbi mbulohen 1.6% e depozitave.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim ka lansuar raportet e zhvillimit njerëzor në Kosovë, me ç’rast ka vënë në pah se papunësia dhe pasiviteti i përhapur veçanërisht tek gratë dhe të rinjtë, bën që një sasi e konsiderueshme e potencialit njerëzor të jetë e pashfrytëzuar.

Për shumicën e qytetarëve të Kosovës papunësia dhe mungesa e zhvillimit ekonomik vazhdojnë të jenë problemet më kritike. Andrew Rrusel Koordinatori i OKB-së për Zhvillim, potencoi se papunësia është problem i madh në Kosovë.

Kurse këshilltari i UNDP-së Ben Slay, theksoi se raporti i UNDP-së mund t’u hyjë në punë institucioneve.

Sa i përket të gjeturave kryesore të raportit, hulumtuesja Erëblina Elezaj, potencoi disa çështje me rëndësi.

“Rritja ekonomike gjatë dekadës së fundit edhe pse ka qenë pozitive, ka qenë kryesisht e mbështetur prej remitencave, dërgesave nga jashtë, prej investimeve të mëdha publike posaçërisht në infrastrukturën rrugore dhe prej asistencës së donatorëve.”

Me popullsinë në Kosovë, ku rreth 50% janë nën moshën 29 vjeçare, në treg të punës çdo vit hyjnë rreth 20 mijë të rinj. Elezaj tha se për shkak të kërkesës së ulët për punëtorë, tregu i punës nuk mund t’i absorbojë të gjithë këta.

Ministri i Financave Avdullah Hoti priti në takim Shefin e divizionit të Bankës Evropiane për Investime (BEI) për operacionet në Slloveni, Kroaci, Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor Matteo Rivellini, me të cilin diskutuan mbi prioritetet aktuale të Ministrisë së Financave dhe përditësimin mbi nevojat për financim.

Ministri Avdullah Hoti dhe shefi i Divizionit të BEI-së për Kosovën, Matteo Rivellini, diskutuan gjithashtu edhe për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, ratifikimin e marrëveshjes për Linjën Hekurudhore dhe fillimin e implementimit si dhe bashkëpunimin në të ardhmen.

Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për fushat e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektet që do të vijnë në të ardhmen e afërt, si dhe  për krijimin e ideve se si BEI do të ndihmojë Ministrinë e Financave në mënyrë sa më efikase.

***

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për tetëmujorin e parë të vitit ka inkasuar të hyra në vlerë prej 250 milionë euro, ose 16 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, tha se ATK ka zhvilluar aktivitete të shumta, duke theksuar se shumë biznese janë pajisur me arkat fiskale. Ndërsa sa i përket borxheve, Imeri tha se deri më tash ATK ka falur mbi 207 milionë borxhe, ndërsa ka inkasuar në buxhetin e shtetit 20 milionë euro.

Ndërsa ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke lavdëruar menaxhimin e punës në ATK, tha se kanë pasur inkasim rekord të të hyrave tatimore. Duke folur për borxhet, ministri Hoti tha se ngecje ka tek borxhet e KEK-ut.

Ndryshe, afati për shlyerjen e borxheve është shtyrë edhe për gjashtë muaj, për çka ministri Hoti shpreson se ky proces do të mbyllet me sukses. Ai bëri të ditur se Ligji për Faljen e borxheve, do të pësojë ndryshime, në mënyrë që të pastrohen regjistrat, sa i përket borxheve të vjetra. 

***

Dogana e Kosovës brenda tetë muajsh ka arritur të inkasojë 682 milionë euro, apo 81 milionë më shumë sesa vitin e kaluar. Kështu tha Lulzim Rafuna, drejtor i Doganave, duke thënë se ky vit shënon të hyra rekorde për Doganën e Kosovës. Ai tha se projeksionet buxhetore janë tejkaluar për 3. 22 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Kurse ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se puna e doganierëve po ndikon që të ketë luftim të ekonomisë informale dhe kontrabandës, duke mundësuar zhvillimin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. 

Zyrtarët e Doganës theksuan se gjatë këtij viti janë raportuar 72 raste të korrupsionit, ndërsa janë arrestuar 37 persona. /rtk/

Komentoni