Kosova

Në janar të funksionalizohet Oda e profesionistëve shëndetësorë

Mbledhja e sotme e Komisionit  për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, e drejtuar nga nënkryetari i komisionit, Hatim Baxhaku e më pas nga kryetarja e komisionit, Flora Bronvina kishte për objekt; Raportimi i Ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmani lidhur me funksionalizimin e Odave të profesionistëve shëndetësorë dhe shqyrtimin e planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor, 2016.

Nënkryetari i komisionit, z Baxhaku, pas prezantimit të problemeve dhe ankesave gjatë seancës dëgjimore, mbledhjen e kaluar, të kryetarëve të Odave të profesionistëve shëndetësorë, fjalën ia dha Ministrit të Shëndetësisë, I Rrahmani.

Ministria e Shëndetësisë, tha z. Rahmani është përpjekur me seriozitetin më të madh për implementimin e ligjit, e reformës në shëndetësi, pjesë e së cilës është edhe krijimi dhe pavarësimi i Odave të profesionistëve shëndetësorë.

Krijimi i Odave të profesionistëve shëndetësorë është një proces i ri edhe në vendet e zhvilluara dhe krejt i panjohur nga Kosova dhe mjekët tanë. Edhe pse ligjin e kemi mjaft të përparuar dhe liberal, në krahasim me vendet e rajonit, puna për kompletimin e dokumentacioneve, struktura, rregulloret etj, nga ana e Odave lë mjaft për të dëshiruar.

Ministria e Shëndetësisë ka qenë korrekte që nga krijimi i Odës së parë, në vitin 2013 dhe deri tek krijimi i Odës së pestë në vitin 2015. Kemi organizuar afro 15 punëtori me Odat dhe biles i kemi ftuar edhe jashtë detyrimeve tona në takime të ndryshme, për tu njohur me procedurat dhe problematikat e punës për krijimin e tyre. Ministria e Shëndetësisë është mbështetësja kryesore e Odave për krijimin e statuseve dhe rregulloreve të tyre.

Ne, tha pas shpjegimeve të tjerave ministri, Rrahmani, do t’ju dorëzojmë juve si Komision parlamentar krejt dokumentacionin e përgatitur nga administrata e ministrisë për tu njohur më konkretisht me punën dhe përpjekjet tona për krijimin e Odave, të cilave duhet tu delegojmë kompetencat, por fatkeqësisht, ato janë krejt të papërgatitura si nga ana dokumentare ashtu edhe administrative, për të marrë përgjegjësitë e tyre. Edhe pse sipas ligjit për buxhet, pjesa për Odat, duke filluar nga 1 janari 2017, ato duhet të jenë të pavarura ekonomikisht, Ministria e Shëndetësisë akoma nuk ka asnjë plan apo dokumentacion të plotë se si do ti menaxhojnë këto fonde.

Deputetët, të mbetur të befasuar nga shpjegimet e ministrit Rrahmani, krejt të kundërta me kërkesat dhe ankesat gjatë takimit me kryetarët e Odave, në mbledhjen e kaluar kërkuan shpjegime më të hollësishme duke kërkuar edhe organizimin e një dëgjim publik apo një takim tresh.

Tendenca e politizimit për të krijuar një klimë opozitare nga Odat, ndaj Ministrisë së Shëndetësisë tha ministri  Rrahmani, është një qëndrim krejt i gabuar kundrejt frymës së bashkëpunimit, për vetë arsyet e mungesës së përvojës në Kosovë për funksionimin e Odave edhe të vetë mjekëve. Ai ofroi mundësinë e takimeve mujore për ta njohur Komisioni në vijim me procedurat e mëtejme.

Në përfundim u dakorduan që më 1janar 2017 të fillojë funksionalizimi i Odave të profesionistëve shëndetësorë.

Më tej Komisioni vijoi punën për shqyrtimin e planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor, i cili u miratua. /KI/

Komentoni