Lajme

Në Fushë Kosovë nis ndërtimi i objektit të ri shkollor

Përkrah objektit të vjetër, të hënën do të fillojë ndërtimi i objektit të ri paralel të Shkollës Fillore “Mihajl Grameno” në Fushë Kosovë, i cili do të ndërtohet me mjete të kësaj komune dhe pritet të përfundojë brenda një viti kalendarik.

Zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli, tha se ka pasur kërkesë të kamotshme në Ministri të Arsimit për ndërtimin e këtij objekti, por nuk ka marrë asnjë herë përgjigje.

Shkollës Fillore “Mihajl Grameno” në Fushë Kosovë nga viti i ardhshëm pritet t’i shtohet edhe një objekt mësimor i ri, i cili do të fillojë së ndërtuari të hënën, më 17 korrik.

Ndërtimi i një objekti të ri ka qenë nevojë e kamotshme, pasi në objektin ekzistues mësimin e vijojnë mbi 2 mijë nxënës, në tri ndërrime, derisa numri i nxënësve në klasa shkon deri në 50-të syresh.

Zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli, i tha radio Kosovës se tashmë janë kryer matjet, është përzgjedhur kompania ndërtuese dhe të gjitha përgatitjet e tjera të duhura.

“Ne jemi në fazën fillestare, ku ditën e hënë do të fillojnë punimet për ndërtimin e një shkolle të re, që do të jetë paralele e ndarë e Shkollës Fillore “Mihajl Grameno”, dhe sigurisht se do të shkarkohet sado pak numri i madh, apo gjithë ai fluks që është aty. Kjo shkollë është kryesisht donacion i Komunës së Fushë Kosovës dhe nuk kemi ndihmë nga institucionet qendrore”, tha ai.

Topalli tha se kërkesën për ndërtimin e kësaj shkolle, komuna ua kishte  drejtuar edhe institucioneve qendrore, nga të cilat nuk ka marrë asnjë herë përgjigje.

Megjithatë, objekti i ri, i cili pritet të përfundojë pas një viti, do të ndërtohet në rrugën “Hajrulla Zymi”, rreth një kilometër larg nga lokacioni ku gjendet objekti ekzistues.

Objekti pritet t’i ketë 850 metra katrorë dhe do të kushtojë 146 mijë euro.

Ndërkohë, për dallim nga “Mihajl Gramenos”, sipas zëdhënësit Topalli, gjendja në shkollat e tjera fillore dhe të mesme në këtë komunë është më e mirë.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*