Shëndetësia

Në fund të 2018-s fillon puna për sigurimet shëndetësore

Duke iu përgjigjur deputetëve, ministri tha se në fund të vitit 2018 do të fillojë mbledhja e premiumeve për sigurimet shëndetësore.

“Unë dua me ju thanë që sigurimet shëndetësore do t’i fillojmë në fund të vitit të ardhshëm, për ta mbuluar të gjithë Republikën e Kosovës“.

Ai tha se sigurimet shëndetësore vetëm janë premtuar dhe se nuk ka pasur një planifikim të duhur, madje, sipas tij, ideja e vetëfinancimit krijon kushte për korrupsion.
Sipas tij, Ministria ka dështuar në krijimin e agjencisë për mbledhjen e premiumeve, dhe kjo e bën të pamundur që të fillojë mbledhja e tyre.

“Unë i kam duart e zgjidhura dhe shpresoj që edhe të tjerët i kanë. Është e vërtetë që unë po menaxhoj zjarre dhe ato i kam gjetur aty. Sa i përket sigurimeve shëndetësore ideja e vetëfinancimit krijon kushte për korrupsion, por jo në një sistem të tillë”.
“Ministria nuk ka mundur të krijojë një agjenci për të filluar mbledhja e premiumeve. Edhe pse kemi vendimin për mbledhjen e premiumeve ai është gjymtuar dhe vetë e kanë bërë të pamundur të fillojë mbledhja e premiumeve”.

Ministri tha se kjo është një patate e nxehtë dhe ka shumë paqartësi.

“…keni krijuar një patate të nxehtë që nuk dihet sa akte nënligjore kanë për t’u krijuar, ka shumë paqartësi. Unë nuk po dua me ju dhanë fjalë dhe politikë. E para unë e thashë dhe do ta them nëse ka një konsistencë, është transparenca llogaridhënia dhe rritja e buxhetit. Buxheti do të rritet, sigurimet shëndetësore qytetarët e Kosovës do të kenë dhe ju do të jeni bashkëpjesëmarrës të këtij procesi”.

Kryetarja e komisionit për shëndetësi, deputetja e LVV-së, Besa Baftiu, duke iu drejtuar ministrit tha se për t’i arritur të gjitha këto besoj që është mirë që të kemi sistemin informativ shëndetësor dhe sigurime shëndetësore.

Haxhi Avdyli, anëtar i komisionit, tha se historia e sigurimeve shëndetësore është një histori e dështuar e cila ka filluar në vitin 2004 dhe ky është dështim i të gjithë neve.

Ministri Ismaili më tej tha se sektori i shëndetësisë është sektori më i nënfinancuar në Kosovë dhe përcillet me një jostabilitet të vazhdueshëm. Ai për këtë sektori paraqiti edhe planin e tij për katër vitet e mandatit sa do të drejtojë këtë dikaster.

“Unë konsideroj që Ministria e Shëndetësisë të vendosë së pari rregulla për vete sepse në mungesë të jostabilitetit joinstitucional ka mungesë të transparencës dhe llogaridhënies dhe për mua detyra e parë është që të bëjë rregullimin e kësaj”.

Pengesa e dytë është se sektori është i nënfinancuar dhe sepse Ministria financohet me 2.6 të GDP-së, ndërsa në rajon merr mbi 4 për qind dhe ne kemi nevojë të krijojmë stabilitet financiar”.

“Nëse dëshirojmë të kemi shërbim mjekësor më të mirë duhet ta krijojmë një financim të qëndrueshëm. Ka pasur mungesë të bordit të ShSKUK, ju kam dërguar ftesat për ta funksionalizuar bordin dhe siç e dini bordi është krijuar. ShSKUK është organizatë shumë e madhe, por mungojnë kapacitetet menaxheriale e unë jam duke diskutuar me BB për t’i mbështetur ata”.

“Kemi një lloj tollovie për çështjen e kalimit të pacientëve nga shërbimi primar në atë sekondar e pastaj në terciar, aty jemi duke punuar në menaxhimit të mirë të kuadrove në mënyrë që mjeku të jetë më afër qytetarit. Ministria duket ta ketë edhe rolin edukativ për qytetarët”.

Anëtari i komisionit, deputeti i LDK-së, Naser Rugova, duke iu drejtuar ministrit tha se nuk ka pyetje pasi që ministri sapo e ka marrë detyrën por do t’i japë disa rekomandime.
“Unë konsideroj që ne si komision do ta ngremë zërin, do ju dalim në mbështetje për punët e mira, por do të përballemi me zërin e fuqishëm për të gjitha mosveprimet, neglizhencat. Fondi i sigurimeve shëndetësore ka qenë publik nga Qeveria e kaluar. Ju duhet t’i kushtoni vëmendje inspektoratit shëndetësor. Duhet t’i kushtoni vëmendje cilësisë së barnave. Jemi lodhë me storje dhe afera mediale në kurriz të punëtorëve shëndetësorë”.

Flora Brovina, anëtare e Komisionit, deputete e PDK-së, kërkoi nga ministri të dijë se kur do të bëhet plotësim-ndryshimi i Ligjit për Shëndetësinë.

“Ligji për Shëndetësinë e kemi parë që ka mangësi, çka do të bëni ju me këtë kur do të presim plotësim-ndryshimin e këtij ligji?”. /RTK/

Komentoni