Kosova

Arrestohen një toger, një noter dhe dy policë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në dy raste të ndara ka realizuar me sukses dy operacione hetimore në konsultim edhe me prokuroritë kompetente. Si rezultat i hetimeve të suksesshme në të dy rastet janë arrestuar katër të dyshuar (tre zyrtarë policorë dhe një qytetar – noter).

Operacioni i parë është realizuar më 07.10.2016 ku efektivat e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar dy të dyshuar nga Vitia (një toger policor – Stacioni Policor i Vitisë dhe një Noter) me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar, uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme dhe falsifikimi i dokumenteve të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Arrestimit i kanë paraprirë veprimet hetimore disa mujore dhe informacioni i pranuar nga burimet e informacionit në terren lidhur me përfshirjen e togerit policor si të dyshuar në këtë rast, si dhe provave materiale që janë siguruar nga ushtrimi i kontrollit të banesës, apo objekteve tjera bazuar në një Urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan .

Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore paraprake dhe me vendim të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në Qendrën e Ndalimit në Gjilan ku u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore. 

Edhe operacioni tjetër (rasti i dytë) është realizuar në datën e njëjtë (07.10.2016) në Prishtinë, ku IPK-ja ka pranuar një informatë se dy zyrtarë policorë dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i Detyrës Zyrtare, marrje e ryshfetit dhe fshehje të provave”.

IPK bazuar në informatën e pranuar i është përgjigjur menjëherë rastit duke ndërmarrë disa veprimeve hetimore paraprake që kanë përfshirë intervistimin e dëshmitarëve dhe të dyshuarve, konfiskimin e një veture etj.

Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kujdestar me vendim të të cilit dy të dyshuarve (zyrtarë policorë) u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Të dyshuarit janë paraqitur para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, i cili në fund të seancës dy të dyshuarve ju ka caktuar nga 30 ditë paraburgim si një prej masave për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale. /KI/

Komentoni