Kosova

Në autoudhën Prishtinë-Prizren, policit i thyhen këmbët nga goditja me veturë

Një polic është goditur nga një veturë në autostradën Prishtinë – Prizren. Polici përveç lëndimeve të tjera, ka të dy këmbët e thyera dhe që disa orë është në operacion.

Ai është i lindur në vitin 1974 dhe ka vetëm pak muaj që është vendosur  të punojë në autoudhë.

Besohet se polici po tentonte ta ndalonte veturën meqë lëvizte me shpejtësi të madhe.

Ai është përpjekur ta ndalojë automjetin por në pamundësi që vetura të ndalej, ai goditet me gjithë shpejtësinë që lëvizte, raporton lajmi.net.

Vozitësi është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Lajmi.net ka kontaktuar Policinë e rajonit të Prizrenit.

Toger Hazir Berisha e konfirmon rastin duke saktësuar se ngjarja ka ndodhur sot në mëngjes.

Pa dhënë shumë detaje, ai tha se polici është nga Prishtina dhe tash për tash është duke u kuruar.

Ndryshe, Polica e Kosovës është e vetmja në Evropë që nuk ka sigurim shëndetësor.

Komentoni