Ekonomi

MZhE-në e pret padia si për KEDS-in nëse nuk publikon kontratën për Austrostradë

Pas më shumë se pesë vjetësh qëkur është shitur kompania për distribucion dhe furnizim të energjisë elektrike, për qytetarët kurrë nuk janë bërë të ditura detajet e marrëveshjes.

Qeveria vazhdon t’i fshehë këto dokumente ku tregohet se çfarë u shit e çfarë do të ndërtohet nga kontrata me investitorin Limak – Çalik.

Megjithatë, Gjykata Themelore përmes një aktvendimi, e obligon Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që brenda afatit prej 30 ditësh t’i bëjë publike këto marrëveshje.

Ky vendim i gjykatës u mor pas padisë së Institutit GAP.

Detyrohet i padituri, Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Prishtinë, që brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, t’i lejohet paditësit Institutit për Studime të Avancuara GAP me seli në Prishtinë, të ketë qasje në dokumentet publike që lidhen me procesin e privatizimit të KED-it dhe Ofertimit të Projektit “Kosova e Re”

Instituti GAP kishte bërë 22 kërkesa në ministri dhe KEK për t’i parë këto dokumente. Meqë vazhdimisht janë refuzuar, kishin dorëzuar në qershor të 2013-s padi në gjykatë.

Për padinë në fjalë, Ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka thotë se nuk ka pasur njohuri.

Publike nuk është bërë as kontrata e arritur më 20 dhjetor 2017 për Kosovën e Re.

Për mospublikimin e marrëveshjes së re, ministri Lluka fajin ia hedh bordit të kompanisë amerikane “Contour Global”.

E nëse ministria nuk ua mundëson qasjen edhe në këtë marrëveshje për termocentralin e ri, GAP-i thotë se padi nuk do të ushtrojë më ndaj institucionit, por ndaj ministrit.

Qasja në dokumentet zyrtare është e rregulluar me ligj, por këtë ligj vazhdimisht e shkelin institucionet publike, posaçërisht kur janë në pyetje kontratat e mëdha.

Komentoni