Lajme

Mustafa takoi sekretarin Ban Ki-moon

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka takuar në Nju Jork, sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, ministrin e Punëve të Jashtme të Kuvajtit dhe përfaqësues të vendeve tjera.

Gjatë takimit me sekretarin Ban Ki-moon në selinë e Kombeve të Bashkuara, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin e shumanshëm që po arrihet në Kosovë.

Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi sekretarin Ban Ki-moon për përkrahjen duke kërkuar mbështetje të mëtejme për Kosovën.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa e informoi sekretarin e përgjithshëm edhe për përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë agjencitë e Kombeve të Bashkuara.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për proceset tjera të rëndësishme për Kosovën dhe më gjerë.

Ndërkaq, gjatë takimit me presidentin Bujar Nishani, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe që Republika e Shqipërisë dhe presidenti Nishani personalisht po japin për fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khalid Al-Hamad Al-Sabah, ku kërkoi përkrahje të mëtejme për njohjet e reja të Kosovës dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, mori pjesë në takimin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare i zhvilluar në Nju Jork, ku ishin të pranishëm përfaqësues të bizneseve shqiptare nga mbarë bota.

Pasi vlerësoi lartë përkrahjen e tyre për Kosovën, kryeministri Mustafa i njoftoi edhe për mundësitë e mëdha që ofron tani Kosova për investime, për ambientin shumë të favorshëm për biznes si dhe përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim dhe përkrahje të gjithanshme të bizneseve të diasporës për të realizuar investimet e tyre në shumë fusha të ekonomisë në Kosovë.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe kongresistë amerikanë si dhe personalitete të tjera të larta. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*