Lajme

Mustafa: Statuti i AKS-së do të bëhet në harmoni me Kushtetutën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, një intervistë për RTK-në duke folur për demarkacionin me Malin e Zi, ka deklaruar se vazhdon ta mbajë qëndrimin e njëjtë se nuk është gjetur asnjë argument që kufiri është përtej vendimit të komisionit shtetëror për demarkacion.

“Unë e kam tërhequr ligjin për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi sepse e kam vlerësuar se nuk ishte një situatë nëpër të cilën do të mund të vendosnim atë ditë për demarkacionin, por tërheqja nuk do të thotë se nuk do të procedojmë sërish me atë ligj. Tani jam duke mbajtur disa takime për ta sqaruar sa më shumë situatën. Për mua është me rëndësi themelore të sqarojmë situatën në terren, nëse ka dikush në terren një dokument që ka administruar qoftë si krahinë qoftë si shtet në atë pjesë, pastaj se a voton apo jo një deputet është përgjegjësi e tij. Nëse voton e merr përgjegjësinë dhe e ndihmon vendin të ecë përpara, nëse nuk voton e pengon qytetarin të lëvizë lirshëm. Ai duhet ta dijë se nuk është deputet vetëm i Pejës, Junikut e Deçanit por është deputet i Kosovës dhe deputetët duhet ta marrin këtë përgjegjësi. Unë qëndroj prapa asaj se kufiri është vendosur si duhet. Peja kurrë s’ka administru territor më shumë se sot. Pse komuna e Pejës nuk është deri në Çakor ose deri në Zhleb po është deri këtu ku është. Pra zgjidhja është e lehtë. Dikush po thotë ua kam dhanë njerëzve besën, po t’i nuk mund t’ia japësh besën kur s’ke dëshmi. Ne nuk kemi dokumente me të cilat vërtetojmë se ajo tokë, jo që është tokë e shqiptarëve sepse ajo tokë e shqiptarëve ka qenë, por nuk është tokë në të cilën ke administruar qoftë si krahinë, qoftë si shtet”, ka theksuar Mustafa.

Kryeministri ka folur edhe për listat e veteranëve që ai i quan politike. “Ata që janë veteranë të vërtetë dhe që në mënyrë të vërtetë u takojnë pensionet askush nuk është kundër që atyre t’u takojnë këto mjete. Mirëpo, nuk kemi ne mjete që t’u paguajmë zgjidhjeve politike, sepse këto lista nuk janë të vërteta, janë lista të formuara mbi baza politike, sepse ka informata që ka njeri aty që e ka marrë statusin e veteranit që në kohë të luftës i ka pas 6 vjet apo 7 vjet. Janë çështje të cilat duhet t’i ndjekë edhe prokuroria, por këtë çështje duhet ta zgjidhin vetë organizatat e veteranëve sepse ata e dinë se kush ka qenë e kush jo në luftë. Tani na u kanë bërë rreth 30 mijë veteranë dhe Kosova nuk mund ta përballojë këtë shifër. Edhe organizatat edhe veteranët janë deklaruar se këto nuk janë lista të vërteta. Këto janë lista të fryra. Kjo çështje duhet të zgjidhet përmes ligjit, gjykata e bën punën e vet por është një çështje afatgjate. Unë nuk jam kundër që veteranëve të vërtetë t’u paguajmë pensionet, por assesi që t’i japim pensione atyre që kurrë nuk ka qenë në luftë”, ka shtuar kryeministri. 

Duke folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kryeministri ka theksuar se ende nuk ka filluar puna në hartimin e statutit të këtij asociacioni.  “Tani është kompletuar ekipi menaxhues që së bashku me OSBE-n dhe zyrën e BE-së dhe Qeverinë do të fillojë hartimin e Statutit. Puna ende nuk ka filluar, por e kemi bërë të qartë edhe me ndërkombëtarët se ky statut duhet të jetë vetëm në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Ky statut duhet të përputhet në plotni me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese sepse nuk duam që Gjykata Kushtetuese të thotë se Qeveria e ka shkelur Kushtetutën në këtë aspekt. Pra do të jemi shumë të kujdesshëm në përpilimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Duke folur për sondazhet e fundit që e vendosin LDK-në si forcën e tretë, Mustafa ka theksuar: “Të them të drejtën mua gjithmonë këto sondazhe më duken punë qesharake sepse nuk u besoj fare. Unë më së shumti i besoj punëve të mia”. /rtk/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*