EkonomiToplajm

Mustafa: Qeveria s`ka fonde për veteranët

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është diskutuar edhe gjetja e fondeve për pagesën e veteranëve të UÇK-së.

Buxheti për skemën e pensioneve të veteranëve të luftës është zero. Mungesa e fondeve është diskutuar edhe në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, por nuk është vendosur se si do të veprohet për këtë çështje. Kryeministri Isa Mustafa ka përmendur edhe një herë se Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka tërhequr vërejtje qeverisë për shpenzimet nga kjo skemë. 

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka ngritur edhe një herë shqetësimin e tij për mungesën e fondeve për pagesën e pensioneve të veteranëve. Abrashi bëri të ditur se vetëm për muajin shtator, fondit për këtë kategori i mungojnë 1.6 milion euro.

 “Po flasim vetëm për mjete financiare, vetëm për pagesën e muajit shtator një minus prej 1.6 milion euro të cilat jemi duke I kërkuar, por jemi gjithashtu edhe në konsultime edhe për 3 mujorin e fund vitit me një faturë prej 5 milion eurove për muaj”, deklaroi Abrashi.

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka sqaruar se mjetet për këtë kategori janë zero, meqë shoqatat e dala nga lufta fillimisht kishin prezantuar numrin prej 12 mijë veteranëve kurse aktualisht nga kjo skemë përfitojnë 28 mijë veteranë. 

“Numri i veteranëve ka arritur në 28 mijë, me këtë trend ne mund ta mbyllim vitin 35 ose 36 mijë që tërheqin pensionet sipas ligjit. Pra mjetet janë shumë më pak sesa kemi numrin e veteranëve” , tha Hoti. 

Duke folur për këtë situatë kryeministri Isa Mustafa hodhi idenë e ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për skemat e veteranëve.

“Ne duhet të procedojmë që të bëjmë ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, në mënyrë që të kufizojmë mjetet sipas fondit monetar ndërkombëtar”, tha ai. 

Për këtë çështje reagoi ministri i diasporës Valon Murati. Ai tha se nëse ulen pensionet për këtë kategori do të preken edhe veteranët e vërtetë. Murati propozoi që të gjinden mjetet për pensionet por njëkohësisht edhe të hetohen faktorët që sollën në këtë situatë. 

Kryeministri Mustafa tha se përveç problemit financiar në njërën problem tjetër janë edhe kriteret që ka vendosur FMN-ja , dhe i cili fond kërkon që të merren masa në këtë fushë dhe të sigurohen një buxhet i qëndrueshëm Republikës së Kosovës. 

Komentoni