Kosova

Mustafa: Kosova ka sot miq më shumë se kurdoherë tjetër

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se gjatë qëndrimit në Nju Jork iu është rikonfirmuar mbështetja për proceset euroatlantike, liberalizimin e vizave dhe proceset tjera vitale për qytetarët.

Ai në rrjetin social Facebook ka shkruar se pret fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar përmes njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata.

Ja postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

“Të dashur miq,

Javën që lamë pas isha në Nju Jork, ku së bashku me ministrin Hoxhaj, kemi zhvilluar takime të nivelit më të lartë me liderë të shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues të diasporës.

Pata rastin të takohem me Presidentin Obama, Presidentin Clinton, Sekretarin Kerry, Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Mbretin e Jordanisë, Presidentin e Këshillit Evropian, Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, drejtuesit e organizatave rajonale, presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm të shumë shteteve.

Takova përfaqësuesit e diasporës sonë në Javën e Filmit Shqiptar si dhe në takimin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare.

Morëm përkrahjen e plotë të SHBA-ve dhe vendeve të tjera partnere e të organizatave ndërkombëtare.

Na u rikonfirmua mbështetja për proceset euroatlantike, liberalizimin e vizave dhe proceset tjera vitale për qytetarët.

Presim fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar përmes njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata.

Duke iu referuar thënies brilante të Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, se “Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq”, me krenari e them se Republika e Kosovës ka sot më shumë miq se kurdoherë tjetër.”

Komentoni