Kosova

Mustafa: Fitorja e LDK-së e bën 22 tetorin referendum për të ardhmen evropiane të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke folur në një tubim madhështor të mbylljes së fushatës parazgjedhore në Gjilan është shprehur i bindur se LDK-ja do të fitojë shumicën e komunave të Kosovës, ndërsa ka kërkuar fitoren e Lutfi Hazirit pa balotazh.

“LDK-ja dhe Lutfi Haziri nuk kanë konkurrencë në Gjilan. Pushteti lokal i Gjilanit do të qeveriset nga LDK-ja dhe do të jetë qeveri lokale e të gjithë qytetarëve, të cilëve do t’u shërbejë, pa asnjë dallim”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se qeverisja 4 vjeçare e Lutfi Hazirit, e ka kthyer zhvillimin, perspektivën dhe shpresën për të rinjtë e kësaj komune.

Sipas tij, autostrada që do ta lidh Gjilanin me Prishtinën e me Luginën e Preshevës është meritë e LDK-së dhe angazhimit të Lutfi Hazirit, duke shtuar se asnjëherë më shumë sesa këto 4 vjet të qeverisjes së Lutfi Hazirit dhe LDK-së, nuk ka pasur investime në Gjilan.

Ai ka thënë se Lutfi Haziri ka mbajtur premtimet dhe ashtu sikurse të gjithë kryetarët e komunave ku ka qeverisur LDK-ja, nuk ka pasur asnjë skandal korrupsioni, por ka pasur luftë kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

“Krejt matjet, vendore e ndërkombëtare, e nxjerrin LDK-në fituese të këtyre zgjedhjeve. Ne do të qeverisim shumicën e komunave të Kosovës, sepse qytetarët e dinë kush qeveris mirë, kush qeveris me duar të pastra, pa afera korruptive dhe me përgjegjësi përpara qytetarëve. Vetëm ne e luftojmë krimin e organizuar e korrupsionin”, ka thënë Mustafa

Mustafa u ka bërë thirrje gjilanasve që 22 tetorin ta shndërrojmë në referendum për të ardhmen e Gjilanit e Anamoravës dhe krejt Kosovës së integruar në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mustafa ka theksuar se vetëm LDK-ja nuk i këmben me votë vlerat tona të traditës, ruajtjes së familjes dhe besimit në Zot. “Por e kërkojmë votën për t’i ruajtur dhe kultivuar këto vlera, sepse mbi to e kemi ndërtuar LDK-në”, ka thënë Mustafa.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur i bindur se qytetarët e kësaj komune nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër përveç LDK-së.

“Ne në Gjilan e kemi mundur të keqen dhe më 22 tetor do ta frenojmë përpjekjen për kthimin e ‘revolucionarëve të Tetorit’, sepse ajo nuk i duhet Gjilanit dhe nuk i duhet Kosovës”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, qytetarët e Gjilanit nuk duhet të humbasin kohë sepse këtu ne do të vazhdojmë me zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, ndërtimin e infrastrukturës dhe krijimin e perspektivës për të rinjtë e kësaj komune.

“Sot jam para Jush për t’u zotuar se një mandat tjetër në Gjilan ne do të vazhdojmë të punojmë për secilin qytetar, duke ndërtuar rrugë, kanalizime, ujësjellës dhe shkolla, çerdhe, stadiume, shtëpi kulture, sepse ne kemi krijuar parakushtet. Ne kemi buxhetin. Të tjerët po presin kot, sepse lezeti i këtyre zgjedhjeve do t’u mbetet vetëm bilbordat dhe video spotet”, ka thënë Haziri.

Haziri ka thënë se qeverisja aktuale e Gjilanit ka krijuar kulturën dhe brendin e prodhimeve të ndërmarrësve të suksesshëm të Gjilanit, të cilët prodhimet e tyre tash i plasojnë në tregun evropian. “Këta janë heronjtë e sotëm të Kosovës, të cilëve u ka dalë krah qeverisja qendrore e LDK-së, e udhëhequr nga Isa Mustafa”, ka thënë Mustafa.

Haziri ka thënë se komuna e Gjilanit është kujdesur dhe do të kujdeset edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, të cilët me investimet infrastrukturore, do ta kenë më të lehtë të komunikojnë me Kosovën, ashtu sikurse edhe bashkatdhetarëve që do t’ua shkurtojmë rrugën e rikthimit tek familjet e tyre.

“Përkundër faktit se qeveria aktuale i ka zbehur shpresat e qytetarëve për zhvillim e integrim, ne do të vazhdojmë të punojmë për të mbajtur gjallë këto shpresa, deri në kthimin e LDK-së në qeverisje të vendit dhe derisa shumicën e komunave të Kosovës ta udhëheqin kuadrot e LDK-së, ka thënë Haziri. /KI/

Komentoni