KosovaRajoni

Musliu: Tirana dhe Prishtina ta japin kontributin e vet tek faktori ndërkombëtar

Jonuz Musliu, kryetari i Këshillit kombëtar shqiptar, ka njoftuar se do të fillojnë në ndërtimin e një strategjie të përbashkët me Kosovën për tejkalimin e problemeve me të cilat po përballën qytetarët e Luginës së Preshevës.

Pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, Musliu ka deklaruar se është biseduar për problemet me të cilat po përballen qytetarët e Luginës së Preshevës. 

“Problemet për shqiptarët e luginës ende janë të pazgjidhura, tekstet mësimore s’po lejohen. Biseduam dhe mbetem të bëjmë një strategji të përbashkët. Për mos lejimin e librave fajtor është Qeveria e Serbisë se nuk po i respekton të drejtat e shqiptareve, as faktori ndërkombëtar s’po i bën presion Serbisë që t’i lejoj tekstet për nxënësit”, është shprehur Musliu.

Ndërkaq, Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit ka thënë se kanë marrë premtimin që institucionet e Kosovës do të jenë më të angazhuara me çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Është interes i përgjithshëm që Tirana dhe Prishtina ta japin kontributin e vet tek faktori ndërkombëtar dhe gjërat të fillojnë të lëvizin”, ka theksuar Kamberi.

Mirëpo, përfaqësuesit e Bujanocit dhe Preshevës kanë ardhur ndaras. Të parët janë takuar me kryetarin Veseli, kurse delegacioni preshevarë është duke pritur për ta realizuar takimin me Veselin.

Veseli tani është në takim me ambasadorin e ShBA-ve, Delawie. Ndërkohë që kryetari i Preshevës po qëndron në hollin e kuvendit. Të pyetur se pse të dy delegacionet nuk kanë ardhur së bashku, kryetari i Bujanocit ka thënë se kjo është çështje e komunikacionit dhe se ekipet nuk kanë mund të arrijnë në të njëjtën kohë. /KI/

Komentoni