Musliu : Qytetarë, mendojeni votën është pushteti juaj, pushtet sovrani

Besoj fuqishëm që Partia Demokratike e Kosovës bashkë me partnerët tjerë, të cilët i janë bashkuar Fillimit të Ri, bindshëm do të dalin fitues në këto zgjedhje. Besoj në...

Besoj fuqishëm që Partia Demokratike e Kosovës bashkë me partnerët tjerë, të cilët i janë bashkuar Fillimit të Ri, bindshëm do të dalin fitues në këto zgjedhje. Besoj në liderin e PDK-s, besoj në vizionin e tij dhe besoj në Fillimin e Ri. Dhe po ashtu, besoj që rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit, do të konfirmoj se në këtë Fillim të Ri, beson edhe shumica e qytetarëve të këtij vendi, kështu ka deklaruar Ganimete Musliu, anëtare e kryesisë së Partia Demokratike e Kosovës.

Ne një intervistë ekskluzive për Kosova Info, ajo ka komentuar edhe vendimin koalicionin PDK-AAK-NISMA, dhe vendimin e të parit të PDK-së, Kadri Veseli që të jetë i dominuar nga ky koalicion për kryeministër të vendit.

“Vendimi i z. Kadri Veseli, i cili e liron pozitën e tij për Ramush Haradinaj, për mendimin tim është një vendim prej një burrështetasi me format. Mund të ketë krijuar habi në opinionin e gjerë por koha do ta tregoi që z. Veseli është një lider i cili interesat e vendit i vendos gjithmonë para interesave të tij personale. Ftoj elektoratin e PDK-s që të respektojnë vendimin e z. Veseli dhe ti bashkohen pa rezervë për ta përkrahur në vizionin e tij, sepse është vizioni i së ardhmes së këtij vendi. Përkrahja e tyre është     konfirmimi më i mirë se mbi të gjithë ne, përtej dëshirave tona personale qëndron e ardhmja dhe perspektiva e Kosovës”, ka theksuar Musliu, e cili për të tretën herë do të garoj për deputete të Kuvendit të Kosovës.

Kosova Info: Znj. Musliu, me 11 qershor, qytetarët e Republikës së Kosovës, edhe një herë do t’ju drejtohen kutive të votimit. Sipas jush, cili do të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve dhe a pritni rritje të elektoratit të PDK-së ?

Ganimete Musliu: Fillimisht uroj që me 11 qershor 2017 të kemi zgjedhje të qeta dhe demokratike. Po ashtu ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të participojnë në këto zgjedhje. Sa i përket pyetjes suaj, se cili do të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve, unë besoj fuqishëm që PDK bashkë me partnerët tjerë, të cilët i janë bashkuar Fillimit të Ri, bindshëm do të dalin fitues në këto zgjedhje.

Kosova Info: Me moton “Fillimi i Ri”, Partia Demokratike e Kosovës, do të garoj në këto zgjedhje. Besoni fort në fitoren e PDK-së me “Fillimin e Ri”?

Ganimete Musliu: Natyrisht që po. Nga dita e parë që jam kyçur në Partinë Demokratike, në vitin 2000, kam besuar se është partia e cila ka guximin të marrë mbi supe peshën e shtetndertimit. Këtë besim vazhdoj ta kem edhe sot, dhe nuk kam pasur asnjëherë lëkundje në këtë pikë. Besoj në liderin e PDK-s, besoj në vizionin e tij dhe besoj në Fillimin e Ri. Dhe po ashtu besoj që rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit, do të konfirmoj se në këtë Fillim të Ri beson edhe shumica e qytetarëve të këtij vendi.

Kosova Info: Qeveria Mustafa kohëve të fundit është kritikuar se ka pas mungesë në vendimmarrje. E ndani edhe ju këtë mendim?

Ganimete Musliu: Është e vërtetë që Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga z. Isa Mustafa, ka pasur vazhdimisht probleme me marrjen e vendimeve të mëdha. Kohëve të fundit veç u pa që pothuajse gjendej në gjendje paralize në këtë aspekt. Pra, po, edhe unë e ndaj mendimin se qeveria e udhëhequr nga z. Isa Mustafa kishte probleme serioze sa i përket vendimmarrjes.

Në situatën e krijuar luajtën rol një sërë faktorësh por pa dashur ti radhiti sot këtu, përfundimisht mund të them se PDK erdhi në një pikë nga e cila nuk mund të shihej ndonjë përmirësim dhe vendosi të shkëput marrëveshjen e koalicionit për ti hapur rrugë zhvillimit të proceseve të cilat, e dimë të gjithë, na presin përpara. Çdo ditë pritjeje është kohë e humbur për ne, prandaj mendoj që nuk guxojmë të rrimë duke bërë sehir se mos nesër problemet po zgjidhen vetvetiu.

Kosova Info: Znj. Musliu, si e vlerësoni koalicionin parazgjedhor PDK-AAK-NISMA, dhe a ka qenë i pranueshëm për ju ky koalicion?

Ganimete Musliu: Koalicionin PDK-AAK-Nisma parimisht e vlerësoj si një koalicion të natyrshëm. Janë forca politike të cilat kanë një bazament të njëjtë dhe kanë vlera të përbashkëta. Se a ka qenë i pranueshëm ky koalicion të them të drejtën ne jemi përballur qysh moti me dëshirën e që krahu i luftës të bashkohet në të njëjtin bllok politik, sepse ishte një diçka e natyrshme. Pra parimisht është shumë i pranueshëm. Lidhja e koalicionit tani ndoshta ishte nevoja e kohës dhe momenti më i duhur për mos të thënë që ndoshta do duhej të ndodhte edhe më herët. Ky vendim i z. Kadri Veseli i cili e liron pozitën e tij për Ramush Haradinaj, për mendimin tim është një vendim prej një burrështetasi me format. Mund të ketë krijuar habi në opinionin e gjerë por koha do ta tregoi që z. Veseli është një lider i cili interesat e vendit i vendos gjithmonë para interesave të tij personale. Duke qenë se z. Veseli një kohë të gjatë është akuzuar në të gjitha format e mundshme duke ja krijuar një imazh të shtrembëruar rreth tij, tanimë sepse ka filluar që ky realitet i shtrembëruar të qartësohet. Me kohë do të del e vërteta sheshit. Për këtë nuk kam dyshim. Koha dhe faktet do të jenë të pamëshirshme për të gjithë ata që, edhe sot e kësaj dite, gjithë energjinë e tyre e fokusojnë për të përdhosur vlerat njerëzore të kundërshtarëve të tyre politik. Ftoj elektoratin e PDK-s që të respektojnë vendimin e z. Veseli dhe ti bashkohen pa rezervë për ta përkrahur në vizionin e tij, sepse është vizioni i së ardhmes së këtij vendi. Përkrahja e tyre është     konfirmimi më i mirë se mbi të gjithë ne, përtej dëshirave tona personale qëndron e ardhmja dhe perspektiva e Kosovës.

Kosova Info: PDK-ja me këtë koalicion, ka flijuar postin e Kryeministrit, ku z. Kadri Veseli ishte nominuar nga subjekti politik PDK, për këtë post në zgjedhjet që do të mbahen me 11 qershor. Ka qenë i vështirë për Kryesinë e PDK-së, ku bëni pjesë edhe ju, që posti I kryeministrit t’i dhurohet Ramush Haradinajt?

Ganimete Musliu: Zakonisht jo vetëm te ne por kudo në botë kjo pozitë ka peshën e vet dhe nuk është se negociohet lehtë. Në rastin konkret ne i kemi dhënë z. Veseli besimin e plotë të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit, sepse besojmë në aftësinë dhe guximin e tij për t´ju prirë të gjitha proceseve qofshin ato edhe nga më të vështirat. Por, po ashtu ne e respektojmë në të njëjtën masë edhe vendimin e tij për ti dhënë z. Haradinaj këtë mundësi. Z. Haradinaj po ashtu është një njeri i cili i ka dhënë shumë këtij vendi dhe besoj që do të angazhohet me të gjitha forcat për të arsyetuar këtë mundësi dhe për të dëshmuar se është i gatshëm të çoi vendin përpara. Pra, unë besoj që z. Veseli e din shumë mirë çka vepron dhe e din po ashtu shumë mirë që nga strukturat e partisë e ka mbështetjen e parezervë.

Kosova Info: Në opinion, ky koalicion tashmë ka marrë epitetin e koalicionit të ‘Komandantëve”. A ka qenë momenti që pikërisht në këto zgjedhje të arrihet një koalicion i tillë, pasi që kanë qenë pikërisht AAK dhe NISMA, që shumë herë i kanë përmendur vijat e kuqe të çfarëdo bashkëpunimi me PDK?

Ganimete Musliu: E para vijat e kuqe në politikë nuk duhet përmendur shumë, por duke qenë se jemi në një vend të dalur nga një luftë e tmerrshme, pastaj mos të flasim për një traditë të gjatë ne një sistem monist, mbikëqyrjen nga UNMIK-u e shumë e shumë gjëra tjera, skena politike në Kosovë ka historikun esaj dhe në këtë historik ndodhin edhe deklaratat si ajo e vijave të kuqe e që realiteti çdoherë i ka demantuar. Ndjehem mirë që jam pjesë e një partie e cila asnjëherë nuk ka aplikuar vija të kuqe për asnjë parti. Partitë më të vogla ndoshta kanë nevojë për faktorizim dhe nganjëherë dalin me deklarata të mëdha. Kjo nuk është për t’ju marrë me inate. Sa i përket epitetit si Koalicion i “Komandantëve” përkundër faktit që kjo po tentohet të përdoret për të mbjellur pasiguri unë mendoj që ishte po i njëjti koalicion i cili para gati dy dekadave e kthej shpresën tek ne dhe solli lirinë të cilën sot e gëzojmë të gjithë pa përjashtim. Duhet të kemi kujdes që qytetarët mos të maltretohen me propagandë boshe duke përdorur epitete bombastike sepse kjo mund t´ju kthehet bumerang atyre që synojnë tronditje pa nevojë. Elektorati jonë ka dëshmuar një respekt të pandërprerë për të gjithë ata që sakrifikuan dhe u flijuan për liri. Janë po këto figura të këtij koalicioni të cilët sot do ti prijnë Kosovës ballëhapur në çdo proces. Janë po këto figura të cilat, nesër e pasnesër në dialogun e Brukselit, do ti ulën Vuçiçit përpara dhe do ja bëjnë me dije se shqiptarët nuk lejojnë përdhosjen nga askush. Pra para se të tentohet të krijohet një situatë e padenjë për ata që shfrytëzojnë fushata të tilla duhet të kihet parasysh fakti se qytetarët e Kosovës janë ngopur me inferioritetin dhe servilizmin. Populli kërkon ti kthehet krenaria dhe dinjiteti. Dhe ky koalicion ka të gjitha mundësitë ta arrijë këtë.

Kosova Info: Keni qenë dy mandate deputete në Kuvendin e Kosovës. Tani po synoni mandatin e tretë të deputetes në këtë institucion. Çfarë ndryshimesh ju keni premtuar votuesve tuaj?

Ganimete Musliu: Votuesve të mijë ju premtoj angazhim të sinqertë dhe shumë punë. Do jem zëri i të gjithë atyre të cilët e ëndërrojnë një Kosovë të prosperuar me një të ardhme të ndritur. Ju premtoj se do të jem gjithmonë në anën e parimeve dhe asnjëherë nuk do të përqendrohem në interesat e ngushta personale por në interesin e përgjithshëm dhe për të mirën e përgjithshme. Po ashtu synoj të përqendrohem në politikat arsimore dhe shëndetësore si dy pika të cilat prekin drejtpërdrejt të ardhmen e qytetarëve tanë.

Kosova Info: Keni kundërshtuar shumë çështje që janë diskutuar, e më vonë edhe votuar në Kuvend. Fillimisht keni kundërshtuar fuqishëm themelimin e Gjykatës Speciale, dhe shumë çështjeve tjera? Nëse do ta fitoni edhe një herë postin e deputetes, do t’i kundërshtoni ato çështje që ju i konsideroni se janë në dëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, edhe nëse shumica e deputetëve të PDK-së, nuk ndajnë mendimin e njëjtë me ju?

Ganimete Musliu: Shpresoj shumë që koha kur ne na imponohen vendimet nga jashtë siç ishte Gjykata Speciale kanë përfunduar. Kurse Parlamenti i Kosovës nuk besoj që do të procedoj procese të cilat janë në dëm të qytetarëve. Për Gjykatën Speciale kam folur me dhjetëra herë dhe kam dhënë mendimin tim. E kam kundërshtuar që nga fillimi dhe vota ime ka qenë çdoherë votë kundër. Edhe njëqind herë të sillet në Kuvend kjo gjykatë edhe njëqind herë vota ime do të jetë kundër. Sakrifica, flijimi dhe lufta e vendit tim janë vlerat më të çmuara kombëtare dhe nuk do behëm asnjëherë pjesë e përdhosjes së tyre me asnjë çmim. Uroj që sa më shpejt të lirohen të gjithë ata që ende po mbahen padrejtësisht nëpër burgjet e Kosovës.

Kosova Info: Është përmendur se “FillimiiRi’, do të ketë përkushtim të veçantë edhe për fuqizimin dhe avancimin e gruas. A mund të na përmendi ndonjë projekt konkretë, që ka të bëjë me fuqizimin dhe avancimin e gruas?

Ganimete Musliu: Z. Veseli e ka përmendur shpeshherë që fuqizimi i rolit të gruas në Kosovë do të jetë ndër prioritetet kryesore të politikbërjës së tij. Konkretisht mund të përmendi rritjen e përqindjes gjinore në jetën publike, por edhe zhvillime të programeve të ndryshme për arsimimin e grave dhe për mbështetje të projekteve të tyre në aspektin e zhvillimit ekonomik apo atë të ndërmarrësisë.

Një shoqëri përparon vetëm atëherë kur gruaja në atë shoqëri ka vendin e merituar, prandaj ky synim do të vazhdoi dhe do të ketë përkrahjen time në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.

Kosova Info: Si nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri e Mbikëqyrje të FSK-së, keni qenë e angazhuar në evidentimin e të gjitha ngecjeve, por njëkohësisht edhe sukseseve të femrës në pozita vendimmarrëse. Do të vazhdoni edhe në të ardhmen me një angazhim të tillë?

Ganimete Musliu: Natyrisht që po dhe me kënaqësinë më të madhe. Unë mbroj me fanatizëm qëndrimin tim që gruaja shqiptare është një forcë e çmuar dhe se ka kapacitet të drejtoj çdo proces. Kjo është dëshmuar përgjatë gjithë historisë dhe po dëshmohet edhe sot. Kam bashkëpunuar ngushtë me gratë e uniformuara por edhe me të gjitha grupet tjera dhe kudo kam shkuar jam mbushur me krenari dhe vullnet për të vazhduar edhe më me ngulm për të quar përpara agjendat për zhvillimin e politikave adekuate. Jam optimiste që e ardhmja e grave të Kosovës është një e ardhme e ndritur.

Kosova Info: Znj. Musliu. Synoni ndonjë post ministror në Qeverinë e ardhshme PDK-AAK-NISMA?

Ganimete Musliu: Nuk e kam menduar këtë, por në rast se do më ofrohej një mundësi e tillë do gjente një trajtim shumë serioz nga ana ime.

Kosova Info: Cila do të jetë platforma e “Fillimit të Ri” për Kosovën. Pra, çka përmban kjo platformë, pasi që kemi të bëjmë me një koalicion të madh, e që për synim ka ndërtimin e shtetit dhe zhvillim ekonomik?

Ganimete Musliu: Kosova si kurrë më parë ka nevojë për definim të një synimi të qartë për të kapur hapin e zhvillimit sikurse popujt tjerë të lirë e demokratik. Duke qenë se vendi ynë posedon potencialin e duhur Fillimi i Ri do të kanalizoj proceset për ta nxjerrë në pah këtë potencial dhe për të arritur progres të prekshëm në zhvillimin ekonomik, politik, kulturor dhe në çdo aspekt tjetër të jetës.

Kryetari Veseli, ka zhvilluar një seri takimesh në mbarë vendin dhe në kuadër të bashkëbisedimeve ka evidentuar idetë, mundësitë por edhe pengesat që hasen në këtë drejtim. Fillimi i ri do të fokusohet të zhvilloi politikat e duhura që të gjitha këto energji pozitive të kanalizohen në binarët e duhur dhe vendi të eci përpara. Askush nuk do na i ofroi të gatshme dhe të kryera punët dhe problemet që na dalin para. Ne duhet ti qasemi vet të gjitha problemeve dhe të jemi të gatshëm me gjithë potencialin tonë që të tejkalojmë çdo sfidë që na del përpara. Me një bashkim forcash dhe me një vullnet të pathyer ne do të tejkalojmë çdo sfidë. Ne jemi këtu dhe ne do ta bëjmë këtë vend ashtu siç e kemi ëndërruar ndër breza.

Kosova Info: Cili është mesazhi drejtuar votuesve tuaj?

Ganimete Musliu: Me 11 qershor, shfrytëzoni të drejtën tuaj. Dilni të gjithë për të votuar. Besoni në Fillimin e Ri dhe në angazhimin e Partisë Demokratike dhe të kryetarit Veseli për të udhëhequr vendin drejt zhvillimit dhe përparimit. Mendojeni votën sepse është pushteti i juaj, pushtet sovrani. Mos votoni duke u justifikuar për inate apo gjëra tjera, mos bini pre e propagandave dhe e atyre që mbahen në pushtet duke mbjellë frikën, por duke peshuar secilin kandidat, punën dhe qëndrimet e tij. Mos lejoni të keqpërdoret sinqeriteti juaj për asgjë dhe për askënd sepse në pyetje është e ardhmja juaj.

Unë personalisht shfrytëzoj rastin t´ju falënderoj nga zemra për përkrahjen që e kisha gjatë gjithë kohës dhe shpresoj që edhe më tej do të kem përkrahjen tuaj për të vazhduar me dinjitet punën time si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Intervistoi: Lumturije BEKAJ

Kategoritë
Intervista
S'ka komente

Komentoni

*

*

Lajme të tjera