Kosova

Musliu: Drejtësia i trajton çuditshëm top-rastet korruptive në vend

Betim Musliu nga Insituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se trajtimi i aferave korruptive në Kosovë nga sistemi i drejtësisë është i çuditshëm, duke marrë shembull aferën “Pronto”.

Ai ka deklaruar se në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit kanë vendosur të trajtojnë raste konkrete, duke ju ofruar mundësinë të gjithë të përfshirëve në to, të japin komentet e tyre, për raportet që kanë përpiluar paraprakisht.

“Është viti i dytë që organizojmë Javën Kundër Korrupsionit. Synimi është që të kemi një javë dinamike, për të diskutuar për sektorë të ndryshëm ku ka veprimtari korruptive. Por për dallim prej vitit të kaluar, sivjet kemi vendosur të mos diskutojmë për tema ‘klishe’, si për korrupsionin në shëndetësi, në drejtësi dhe në arsim. Kësaj radhe kemi dashur të jemi konkretë”, tha Musliu në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Trajtimi i temave konkrete është më i zorshëm dhe më problematik, sepse preken direkt njerëz, preken marrëveshje dhe struktura. Por para se të diskutojmë ne kemi përgatitur raporte për këto tema, dhe në kuadër të tyre u është dhënë mundësia të gjithë akterëve të dosjeve që të japin komentin e tyre. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë përgjigjur”.

“Rastet korruptive në vend trajtohen çuditshëm. Për shembull, Afera Pronto trajtohet për një kohë të gjatë, por pa ndonjë rezultat. Mendoj që ajo duhet të trajtohet me prioritet të lartë, dhe nëse të përfshirët janë fajtorë, por nëse nuk janë të lirohen nga akuzat”, tha ai.

Komentoni