Kosova

Murtezaj: Kosova dhe Greqia avancojnë raportet

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj ka takuar sot në Athinë, homologun e tij grek Dimitrios Mardas. 

Duke e vlerësuar shumë të rëndësishme vizitën në shtetin grek e cila realizohet në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, zëvendësministri Murtezaj e ka falënderuar zëvendësministrin Mardas për përkrahjen e vazhdueshme që vendi i tij i ka dhënë Kosovës në proceset e integrimeve evropiane dhe rajonale. Ndërsa ka shtuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Greqisë në çështje të interesit të përbashkët në të gjitha fushat. 

“Kosova dhe qytetarët e saj i janë mirënjohës Greqisë për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar. Gjithashtu dua të theksoj se Kosova pret shumë nga Greqia në avancimin e raporteve në të gjitha dimensionet”, ka deklaruar zëvendësministri Murtezaj gjatë takimit me homologun Mardas. 

Nga ana tjetër, zëvendësministri Mardas ka shprehur gatishmërinë e shtetit grek për të vazhduar përkrahjen për Kosovën. Me këtë rast ai ka theksuar se Greqia është e interesuar për avancimin e mëtejmë të raporteve të mira ekzistuese dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar si çelës për ndryshimin e ambienteve politike.

Greqia është një nga pesë vendet e BE-së, që nuk e ka njohur Kosovën. /KI/

Komentoni