Kosova

Murati: Asnjë nga simbolet nuk duhet nëpërkëmbur – flamujt e dy vendeve duhet të shkojnë përkrah njëri-tjetrit

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, është përfshirë në debatin në lidhje me flamurin e Kosovës dhe atë Kombëtar.

Murati ka thënë se ky debat po i zë frymën qytetarëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, megjithatë kanë arsye për të festuar.

Sipas tij, energjia negative që po shpërfaqet këto ditë, në 10 vjetorin e pavarësisë, për t’i vendosur përball pavarësinë e Kosovës dhe projektin e bashkimit kombëtar, flamurin shtetëror dhe atë kombëtar, është e pabesueshme.

“Pavarësia e Kosovës ka ardhur si produkt i përpjekjeve për liri dhe bashkim jo vetëm të kosovarëve por të të gjithë shqiptarëve. Andaj jo vetëm duhet ta respektojmë shtetin, por duhet të punojmë që ai të bëhet një shtet më i drejtë për të gjithë qytetarët tanë, dhe me sovranitet të plotë. Flamuri shtetëror, tërësisht i imponuar, ashtu si edhe vetë konstrukti kushtetues i shtetit të Kosovës, duhet të respektohet përderisa kemi një Kosovë me këtë rregullim. Flamuri kombëtar është pjesë e historisë sonë dhe madje pjesë e vetë përpjekjeve tona deri në pavarësi dhe pas saj”, ka thënë Murati.

Kreu i LB-së thotë se asnjë nga këto simbole nuk duhet të nëpërkëmbet, për më tepër në situatën aktuale ato duhet të shkojnë krah për krah me njëri-tjetrin.

Në anën tjetër, thotë Murati, të gjithë ne që besojmë në bashkimin kombëtar, “duhet ta respektojmë këtë dualitet, e të punojmë fortë që duke e bërë Kosovën një shtet storie suksesi e me sovranitet të plotë të krijojmë kushtet për bashkim me Republikën e Shqipërisë”.

“Për ata që me aq zell po deklarohen kundër çdo gjëje kuq e zi në këtë vend nuk kam koment tjetër, përveç që ata që harrojnë aq lehtë historinë dhe identitetin, që harrojnë sesi kemi ardhur deri tek pavarësia, nuk mund të jenë lojalë as ndaj realitetit të ri e as ndaj ndonjë identiteti të ri”, përfundoi Murati.

Komentoni