KosovaToplajm

Mullafetahu: Prizreni ka nevojë për ndryshim të mendësisë politike dhe qeverisjes

Prizreni është qytet i potencialeve të pashfrytëzuara, që udhëhiqet nga një strukturë qeverisëse me shumë pak ide zhvillimore dhe rrjedhimisht ka nevojë për ndryshim të mendësisë politike dhe qeverisjes, ka vlerësuar Edon Mullafetahu, drejtor ekzekutiv i OJQ-së EC Ma Ndryshe, në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Sipas tij, qeverisja në Prizren nuk ka qenë afër standardeve demokratike, derisa as lëvizjet e fundit nuk japin shpresë se mund të ketë ide të reja në këtë drejtim.

“Prizreni ka nevojë dhe mbi të gjitha meriton të qeveriset nga një mendësi tjetër”, ka thënë Mullafetahu.

Aktivisti i shoqërisë civile konsideron se Prizreni ka potenciale pakrahasimisht më të mëdha kulturore e natyrore se çdo pjesë tjetër e Kosovës, dhe se përsëri ato mbeten edhe të pashfrytëzuara, edhe vazhdojnë të dëmtohen.

“Sikur të ishim të kujdesshëm këta 17 vjet në trajtimin e strukturës urbane të qytetit, shumë probleme të qytetit nuk do të ekzistonin. Për më tepër, me mbrojtje adekuate të trashëgimisë kulturore si pjesë esenciale e asaj strukture urbane, do të përgatisnim qytetin për një koncept të ri zhvillimor, atë të bazuar në kulturë, komunitet dhe natyrë. Për fat të keq, sot nuk e kemi asnjërën prej këtyre. Prizreni gjatë këtyre 17 viteve shumë mundësi i ka humbur, por nuk bën që të pajtohemi që kjo dinamikë të vazhdojë edhe më tutje”, ka deklaruar Mullafetahu.

Komentoni