Kosova

Mulaku: Tre mandate janë tepër, lëre më katër

Kam vlerësuar që pas tre mandatesh është koha që t’ua lë radhën njerëzve të rinj që mund të kenë një vizion tjetër për zhvillimin e qytetit; populli do dhe vendos për ndryshim. Më vjen keq ta them, por kur e kam marrë unë drejtimin Vushtrria ka qenë qytet mesjetar. Kemi bërë përpjekje që t’i kthejmë edhe eshtrat e Shotë Galicës; edhe në këtë tentativë kemi hasur në pengesa nga qeveria. Bajram Mulaku, kryetar i Vushtrrisë në tre mandate, flet për Klan Kosova.

Ishte atëbotë sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, që e bindi profesorin dhe ish-veprimtarin e rivalit politik, Lidhjes Demokratike e Kosovës, Bajram Mulakun, që të bëhej kandidat i subjektit ‘të krahut të luftës’ për kryetar të Vushtrrisë – dhjetë vjet më parë.

Ka qenë i burgosur politik në kohën e regjimit jugosllav bashkë me vëllanë tim, rrëfen Mulaku për Klan Kosova. ‘Pas negociatave të gjata Jakup Krasniqi më ka bindur që ta pranoj propozimin’.

Që nga 2007-ta Bajram Mulaku ka qeverisur me Vushtrrinë, pa bërë fort bujë në media, në asnjërin dimension të masës së gjërave. Pas mandatit të dytë qeverisës flitej se ai nuk do të kandidonte më. Për arsye të ndryshme, shpesh të paqarta, por që lidheshin kryesisht me ftohjen e raporteve me PDK-në. Këto ai i mohoi me rikandidim dhe rizgjedhje.

Por në mandatin e tretë si kryetar komune ai do të përballej me rënien e përkrahjes për PDK-në.  Kështu pas finalizmit të rezultateve të zgjdhjeve qendrore Mulaku njofton se nuk do të kandidojë më. Ai e mohon kategorikisht të ketë ndërlidhje mes këtyre ngjarjeve. Është kjo invervista e parë e Bajram Mulakut dhënë një medias pas këtij vendimi.

Komentoni