Uncategorized @sq

MSh prezanton Raportin Perinatal 2015 dhe shqyrton zbatimin e Programit të Kujdesit Efektiv Perinatal

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë OBSH-në dhe UNFPA-në – Zyrat në Prishtinë organizuan sot tryezën e rrumbullakët në të cilën u bisedua për Zbatimin e Kujdesit Efektiv Perinatal (KEP) dhe u prezantua Raporti i gjendjes Perinatale për vitin 2015. 

Zëvendësministri i Shëndetësisë Dr. Izet Sadiku, fillimisht falënderoi OBSh-në dhe UNFPA-në, për mbështetjen e vazhdueshme që po japin në fushën e shëndetësisë, duke shtuar se shëndeti i nënës dhe fëmijës është një prej prioriteteve të MSh-së, ku në të gjitha dokumentet dhe strategjitë e MSh-së është definuar si përkushtim për fillim të shëndetshëm të jetës që nënkupton kujdesin dhe mbështetjen e vazhdueshme të MSh-së në këtë aspekt. 

“Jemi të vetëdijshëm se rezultatet e mira nuk arrihen pa kontributin e përgjithshëm, duke filluar nga vendimmarrësit, organizatat e huaja dhe vendore përkrahëse të programeve për shëndetësinë, institucionet zbatuese të këtyre programeve e deri te rrethi familjar”, tha Zëvendësministri Sadiku. 

Ai tha se “sigurisht rekomandimet e dala nga kjo tryezë do të jenë referencë për përmirësimin e mëtutjeshëm të gjendjes aktuale të Kujdesit Perinatal”. 

Dr. Gunta Lazdane – zyrtare e lartë e OBSh, Zyra Rajonale për Evropë, tha se i vjen mirë që Kujdesi Perinatal është prioritet i MSh-së sikurse që është edhe i OBSh-së, “andaj, interesi dhe qëllimi ynë është që të ndihmojmë në ngritjen e kapaciteteve vendore të cilat do të siguronin qëndrueshmërinë e Kujdesit Perinatal”. 

Dr. Visare Mujko – Shefe e UNFPA-së zyra në Prishtinë tha se edhe “përkundër përkrahjes sonë 17 vjeçare, jemi të interesuar të mbështesim edhe më tutje programin në Kujdesin Efektiv Perinatal, aty ku shihet e nevojshme”. 

Dr. Skender Syla – Shef i zyrës së OBSh-së në Prishtinë, kujtoi kushtet e vështira të materniteteve të Kosovës në vitet e para të pasluftës, dhe hapat e parë të ndërmarrë me qëllim të përmirësimit dhe ngritjes së kapaciteteve infrastrukturore dhe profesionale të kësaj fushe. 

Ai tha se “në vitin 2000 në Kosovë kanë qenë 1200 vdekje perinatale, ndërsa sot kemi katërfish më pak vdekje të kësaj natyre, për çfarë duhet të përgëzohen të gjithë akterët që mundësuan të bëhet realitet një qëllim i yni i përbashkët qysh nga vitet e para të pasluftës”. 

“Ky mision është i shenjtë dhe uroj që të arrijmë së bashku suksese në synimet tona të përbashkëta”, tha dr. Syla. 

Dr. Curr Gjocaj Drejtor i ShSKUK-së, tha se “rezultatet e mira në uljen e vdekshmërisë, padiskutim janë sukses i përbashkët dhe besoj se po ashtu me këtë bashkëpunim dhe koordinim të mirë të të gjitha institucioneve relevante dhe organizatave mbështetëse të këtij programi, jam i bindur se do të arrijmë rezultate edhe më të mira në të ardhmen”. 

Në këtë tryezë, spitalet e përgjithshme, Klinika Obstetrike GJinekologjike dhe Klinika e Neonatologjisë QKUK, prezantuan arritjet dhe sfidat në zbatimin njohurive të fituara gjatë trajnimit të Kujdesit Efektiv Perinatal në institucionet e tyre. 

Bazuar në shqyrtimin e arritjeve dhe sfidave të zbatimit të deritanishëm, MSh së bashku me profesionistët shëndetësorë vendorë do të zhvillojë strategji për përmirësimin e cilësisë së shëndetit të Nënës dhe Foshnjës. ./KI/

Komentoni