Kosova

Hapet punëtoria për prodhimin dhe montimin e karrocave!

Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe “HANDIKOS” nënshkruanë Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila në vete ngërthen mbështetjen e të dy ministrive për “HANDIKOS”, në hapjen e punishtes për prodhimin dhe montimin e karrocave për personat me aftësi të kufizuara.

Zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes tha se “jemi në mesin e njerëzve me “zemra të mëdha”, të cilët mundësuan realizimin e një projekti të qëlluar dhe të nevojshëm për personat me aftësi të kufizuara, i cili projekt mundëson që kjo kategori njerëzish të inkorporohen në shoqëri dhe të kontribuojnë për vendin e tyre”.

“Institucionet e vendit në vazhdimësi kanë punuar për krijimin e kushteve më të mira për këtë kategori, derisa, mendoj se ky është një prej projekteve më të qëlluara, ngase, punishtja për prodhimin dhe montimin e karrocave i ndihmon vetë personat me aftësi të kufizuara të vendit tonë, të ndjehen kontribut-dhënës dhe të barabartë në mesin e shoqërisë”, tha Zëvendësministri Sadiku. 

Zëvendësministri Sadiku shtoi se “puna e shoqatës “HANDIKOS”, është për t’u vlerësuar, dhe ne ju jemi falënderues për të gjithë angazhimin tuaj që po bëni në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara”.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, tha se realizimi i këtij projekti është rezultat i njerëzve të mirë i cili është e pamatshme me vlerë monetare”.

Drejtori i “HANDIKOS”-it, z. Afrim Maliqi tha se “HANDIKOS” ju del në ndihmë personave me aftësi të kufizuara kudo që janë ata, përfshirë edhe në institucione rehabilituese dhe se me realizimin e këtij projekti ju keni dhënë një mbështetje të madhe jo vetëm për personat me aftësi të kufizuara por, për gjithë shoqërinë. /KI/

Komentoni