Kosova

MSh dhe OBSh diskutojnë për zbatimin e rekomandimeve të punëtorisë për Kujdesin Efektiv Perinatal

Zëvendësministri i Shëndetësisë Dr. Izet Sadiku, priti në takim zyrtaren e lartë të OBSh-së- Zyra Rajonale për Evropë, Dr. Gunta Lazdane të shoqëruar nga Shefi i Zyrës së OBSh-së në Prishtinë Dr. Skender Syla dhe Zyrtari profesional për shëndetin e Nënës dhe Foshnjës Dr. Sami Uka, dhe Dr. Merita Vuthaj MSh, ku diskutuan për Zbatimin e Kujdesit Efektiv Perinatal (KEP). 

Zëvendësministri Sadiku falënderoi dr. Lazdanen për mbështetjen e vazhdueshme të OBSh-së në fushën e shëndetësisë në përgjithësi e në veçanti në programin e trajnimeve për profesionistët shëndetësorë në Kujdesin Efektiv Perinatal. 

Ai tha se “falë këtij programi vdekshmëria perinatale në Kosovë është ulur për katër herë që nga vitet e para të pasluftës, dhe se shpresojmë që në të ardhmen do të kemi rezultate edhe më të mira në këtë drejtim. 

Dr. Lazdane – tha se me organizimin e trajnimeve nga OBSh për profesionistët shëndetësorë në Kujdesin Efektiv Perinatal, interesi ynë ka qenë të ndihmojmë në ngritjen e kapaciteteve vendore të cilat do të siguronin qëndrueshmërinë e Kujdesit Perinatal. 

Ajo ndër të tjera tha se, në Kosovë ishte para pesë viteve dhe nga atëherë ka vërejtur ngritje të nivelit profesional në KEP, për çfarë edhe ndjehet mirë. 

Ndryshe, në vazhdën e aktiviteteve për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së kujdesit për nëna dhe foshnje, vend të rëndësishëm ka zënë trajnimi mbi Kujdesin Efektiv Perinatal i personelit të angazhuar në maternitetet e gjithë Kosovës i cili trajnim është mbështetur nga OBSh. 

Andaj, sot në takimin e MSh-së dhe OBSh-së u diskutua rreth implementimit të rekomandimeve të dala nga tryeza e rrumbullakët e mbajtur dje, për zbatimin e Kujdesit Efektiv Perinatal (KEP). /KI/

Komentoni