Lajme

Mjet shpërthyes te shtëpia e drejtorit të RTK-së

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur prapa shtëpisë së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shala sonte rreth orës 22:10 minuta. Shpërthimi ka shqetësuar familjen Shala dhe fqinjët përreth. Mjeti shpërthyes është gjuajtur mbrapa shtëpisë dhe policia është në vendin e ngjarjes, duke kryer hetimet. Ky është sulmi i dytë ndaj RTK-së, pas atij që ndodhi para disa dite në objektin e RTK-së, ku me granatë dore u sulmua objekti.

Sulmin e ka konfirmuar edhe Drejtori i RTK-së Mentor Shala. Ai ka thënë se shtëpia e tij në Matiqan është sulmuar me një mjet shpërthyes e që supozohet të jetë bombë dore.

Sipas tij shpërthimi ka qenë i fuqishëm, ndërsa bomba është gjuajtur prapa shtëpisë.

“Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, që ka tronditur tërë lagjen. Mjeti shpërthyes është hedhur prapa shtëpisë sime. Në shtëpi kemi qenë e gjithë familja. Fatmirësisht nga ky shpërthim askush nuk është lënduar”, tha Shala.

Ai po ashtu konfirmoi se Policia ka gjetur siguresën e mjetit shpërthyes për të cilin ende nuk ka konfirmim zyrtar se për çfarë mjeti bëhet fjalë.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*