Lajme

Mjeku: Ta përkrahim projektin e arkitektes Zaha Hadid

Publicisti Bajram Mjeku tha se Prishtina si kryeqytet ka nevojë për kryevepra arkitektonike dhe jo për projekte të pavlera arkitektonike. Duke u ndërlidhur me debatin rreth ndërtimit të planifikuar të xhamisë në Dardani, Mjeku në një postim në profilin e tij në facebook tha se xhamia për të cilën kërcënojnë të ndërtohet pa leje në lagjen Dardania në Prishtinë, është vetëm 50 metra larg objektit banesor Kroi i Bardhë ku jeton me familje e tij.

Ai thotë se midis projektit të xhamisë, të cilin na e prezanton kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili i takon arkitekturës tipike osmane dhe projektit të studios së arkitektes së shquar iraniane, tashmë të ndjerës Zaha Hadid, secili qytetar që i takon shekullit të ri, do ta zgjidhte këtë të fundit për shumë arsye.

“Prishtina si kryeqytet ka nevojë për kryevepra arkitektonike dhe projektin madhështor me finesa më moderne arkitektonike të arkitektes Zaha Hadid, do ta pëlqenin myslimanë e jomyslimanë, të krishterë e ateistë edhe si faltore, edhe si kryevepër me të cilën do të mahniteshin të gjithë vizitorët e Kosovës”.

Ai në vijim shtron pyetjen pse tash leje për ndërtimin e saj?

“Pesë vjet më parë në vënien e gurthemelit, morën pjesë Presidentja e Kryeministri, Kryetari i Prishtinës, përfaqësues të klerit fetar, ministra e deputetë. Problemi tash qëndron te përzgjedhja midis kulturës osmane dhe asaj moderne arkitektonike dhe jo tek leja për ngritjen e saj!”, tha Mjeku. /KI/

Leave a comment

Your email address will not be published.


*