IntervistaSport

Misini: Sporti i shahut në Kosovë me rejting të mirë botëror, por nuk financohet

Kosova.info ju sjell intervistën ekskluzive me sekretarin e Federatës së Shahut, Burhanudin Misini, i cili flet për sportin e lashtë, shahun si dhe për gjendjen e në Federatën e shahistëve të Kosovës.

Kosova.info: Secila disiplinë e sportit veç emrit zyrtar, njihet edhe me një emër tjetër. Shembull Atletika, njihet si mbretëresha e sportit. Si quhet ndryshe loja e shahut?

Misini: Loja e shahut ndryshe quhet edhe ‘’Loja e mbretërve’’ pasi që sipas historisë shumë mbretër siç ishin Mbreti Henry I dhe II, Richardi i parë i Anglisë, Alfonso x i Spanjës, Ivan IV i Rusisë etj., kanë qenë njohës të mirë të kësaj loje e cila kryesisht kishte të bëjë me strategji ushtarake të cilën në shumë raste edhe e kanë aplikuar gjatë luftërave. Ndërsa në ditët e sotme njihet edhe si sporti i njerëzve të mençur apo inteligjent.

Kosova.info. Cilat janë kushtet në të cilat zhvillojnë lojërat shahistët kosovarë?

Misini: Kushtet në të cilat zhvillohen lojërat e shahut, duke u bazuar në lokacionet të cilat janë të mangëta gati në të gjithë territorin e Kosovës, mund të themi se janë minimale. Vetëm një numër shumë i vogël i klubeve kanë lokacione ku mund ti zhvillojnë aktivitetet e tyre shahistike e edhe ne si federatë deri para ca vitesh kemi qenë të obliguar që të gjejmë salla për zhvillimin e garave zyrtare në nivel shtetëror të cilat kanë kushtuar. Ndërsa në këto tri vitet e fundit me iniciativën e MKRS – Departamenti i Sportit dhe AKP-së na është siguruar një sallë diku 100 metra katrorë në palatin e rinisë në Prishtinë e cila po na mjafton që t’i mbajmë garat individuale.

Momentalisht në Federatën tonë janë të regjistruara 42 klube më afro 600 shahistë prej të cilave sivjet vetëm 27 morën pjesë në edicionin e garave ekipore. Arsyeja janë kushtet financiare të cilat mundemi lirisht të themi se janë minimale. Subvencionet nga DKRS-të janë në shumë komuna qesharake të cilat nuk mjaftojnë as për pjesëmarrje në një garë njëjavore e le ma për tërë vitin.

Po ashtu edhe ligji për sponsorim i cili është shumë i mangët është pengesë që të gjendet ndonjë sponsor.

Kosova.info: Sa ka mbështetje nga institucionet gjegjëse Federata e Shahut të Kosovës?

Misini: Mbështetja e Federatës sonë është kryesisht nga MKRS – Departamenti i Sportit i cili qe dy vite ka filluar t’i mbështesë Federatat në përgjithësi nëpërmjet Memorandumeve të bashkëpunimit mjetet e të cilave po alokohen 4 here gjatë vitit. Një sistem i cili dukej mjaft mirë i planifikuar sipas së cilit do t’ju mundësohej federatave që paraprakisht të kenë mundësi të përgatiten për aktivitetet e radhës dhe ti kryejmë pagesat. Fatkeqësisht nuk funksionoi ashtu siç e paramenduam sepse alokimi i mjeteve po ka vonesë dhe federatat po duhet të hyjnë në borxhe për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Këtë vit federata jonë e ka nënshkruar memorandum bashkëpunimin me MKRS në vlerë prej 50.000 eurove prej të cilave gjer tani 12.500 euro janë alokuar.

Kosova.info: Nga secila disiplinë e sportit, kemi së paku nga një sportist me të cili(e)n krenohemi. A kemi të tillë edhe nga shahu?

Misini: Sa i përket shahut në kohën e ish-Jugosllavisë, shahisti me të cilin krenohej Kosova ishte mjeshtri ndërkombëtar Bedri Sadiku. Në periudhën e pasluftës dolën ca emra të rinj të cilët me vite të tëra dominuan në këtë sport siç ishin : Naim Sahitaj (7 here kampion i Kosovës), Përparim Makolli (3 here) dhe Nderim Saraçi (5 here) dhe kampion aktual. Ky i fundit është kampioni më i ri i të gjitha kohërave (me 16 vjet kampion për herë të parë) i cili po dominon jo vetëm në shahun kosovar por edhe në rajon. Sivjet e arriti titullin mjeshtër ndërkombëtar dhe po shpresojmë se së shpejti do të bëhet edhe Mjeshtër i madh (GM). Kuptohet se për arritjen e këtij titulli do t’i nevojitet edhe mbështetja institucionale e cila besojmë se nuk do të mungojë pasi që shahu është një sport që nuk donë shumë investime.

Kosova.info: A kemi shahistë (referë) kosovarë të cilët ndajnë drejtësi në lojërat ndërkombëtare të shahut?

Misini: Kosova ka dy referë ndërkombëtarë të shahut. Njëri është Salih Gërguri tanimë një veteran i kësaj loje i cili këtë titull e mori qysh në vitin 1974. I dyti jam unë Burhanudin Misini.

Sa i përket Salih Gërgurit në kohën e tij ka qenë refer në disa gara ndërkombëtare por meritat e tij më të mëdha apo ta quajmë vepër jetësore ka qenë organizimi i garave tona vendore si ekipore ashtu edhe individuale pas distancimit të Kosovës nga Federata serbe (ish-jugosllave) në vitin 1990.

Unë jam shumë më i vonshëm. Nga viti 2005 i kam referuar të gjitha garat vendore. Në vitin 2013 mu dha rasti të referoj në kampionatin evropian të juniorëve. Pas kësaj u riradhitën ofertat dhe këto vitet e fundit kam refereuar në këto gara zyrtare :

Kupa Evropiane e Klubeve 2015

Kampionati Individual Evropian 2016

Olimpiada e Shahut 2016

Kampionati Individual Evropian 2017

Olimpiada e të verbërve 2017

Kampionati ekipor evropian i shteteve 2017

Kosova.info:. Ku është e renditur federata jonë në ranglistën europiane dhe atë botërore?

Misini: Nga 174 shtete anëtare të federatës Botërore të Shahut (FIDE), Kosova radhitet në vendin e 85-të. Kjo ranglistë bazohet në bazë të mesatares së rejtingut të shahitëve aktivë të cilëve nuk guxon t ‘ju hyjë ndërmjet 1 vit moslojë. Tek ne fatkeqësisht i kemi ca që kanë rejting të mirë dhe do ta rrisnin mesataren por nuk janë aktivë. Në anën tjetër edhe procedurat e mërzitshme për marrjen e vizave po na e vështirësojnë pjesëmarrjen në shumë gara.

Kosova.info: Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, njërën nga lëndët mësimore e kanë edhe Edukatën Fizike ku mësojnë për sporte ndryshe, por jo edhe për shahun. A mendoni se kjo gjini e sportit duhet të jetë pjesë e mësimit në kuadër të kësaj lënde?

Misini: Në vitin 2013 në mbledhjen e Parlamentit Evropian, njerëzish si propozim kaloi implementimi i shahut në shkolla si lëndë zgjedhore. Shumë shtete tanimë veç janë duke e zbatuar ndër të cilat edhe Shqipëria.

Edhe tek ne kemi patur ca takime me zyrtarët e MAShT por ende nuk kemi asgjë konkrete.

Unioni Evropian është këmbëngulës për këtë sepse sipas tyre shahu në jetën shoqërore ka një rol shumë të rëndësishëm me anë të së cilës po luftohet diskriminimi, po zvogëlohet shkalla e kriminalitetit e po ndikon edhe pozitivisht në luftë kundër varësive të ndryshme (alkooli, droga etj.) e mos të flasim për shtimin e koncetracionit, durimit, intuitës dhe zhvillimit të memories.

Mendoj se nëse ndonjëherë bëhemi anëtare e saj, shahu do të hyjë medoemos si lëndë zgjedhore nëpër shkollat tona. Pleqtë kanë thënë ‘’Pshtim s’ka veç vonim’’.

Kosova.info: Mediat e shkruara dhe elektronike sa i japin hapësirë shahut?

Misini: Shahu është një sport i cili luhet në vende të mbyllura, pra nuk është në sport medial i cili tërheq shumë shikues dhe media edhe pse sipas një statistike çdo i gjashti banor i botës ka pas të bëjë me lojën e shahut. Rasti më i mirë që e dëshmon këtë është organizimi i Kampionatit Individual Evropian 2016 në Gjakovë në të cilin mediat pothuajse nuk ishin fare të pranishme, përpos televizionit lokal Syri TV.

Gara më e rëndësishme e shahut në Evropë mbahej në vendin tonë ndërsa mediat shkruanin për përgatitjet e përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Ne prapë se prapë kemi kontakte me media televizive, të shkruara dhe elektronike të cilët e vlerësojnë punën tonë dhe herë pas here na përcjellin varësisht prej mundësive të tyre.

Prej të paprintueshmëve dua ta ceku Gani Kosumin pa prezencën e të cilit shumë pak gara mbahen.

Komentoni