Kosova

Miqtë gjermanë u ofrojnë të rinjve kosovarë perspektivë në shtetet e BE-së

Komisioni për Punë të Jashtme, i kryesuar nga Elmi Reçica, kryetar, ka pritur sot përfaqësuesit e shoqatën gjermane ” Berliner Kellerunde “, shoqatë kjo që ka luajtur rol aktiv në bashkimin e Gjermanisë. Ndërsa qëllimi i mëtutjeshëm i shoqatës, kanë theksuar miqtë gjermanë, është kultivimi sa më intensiv i marrëdhënieve me shtetet fqinje evropiane, si kontributit për një Evropë të fortë, stabile dhe me barazi sociale.
Kryetari, Recica, mirëpriti përfaqësuesit e shoqatës “BerlinerKellerunde” duke iu dëshiruar mirëseardhje dhe falënderuar për vizitën. Recica, para të pranishmëve foli për raportet e mira të shqiptarëve me shtetin Gjerman, duke pasur parasysh që me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, një pjesë e madhe e qytetarëve tanë kanë migruar, dhe shteti gjerman ua ka hapur dyert, qytetarëve tanë për të jetuar dhe punuar atje. “Ne i jemi shumë mirënjohës shtetit gjerman, sepse me ndihmën tuaj kemi arritur pavarësinë e shtetit të Kosovës”, tha Reçica.

Kryetari i Shoqatës, “BerlinerKellerunde” z. KlausNeuman, i cili e ka kryesuar delegacionin, duke i prezantuar kolegët e tij, të cilët vinin nga profesione të ndryshme, ka deklaruar para anëtarëve të komisionit se, për Kosovën na ka folur në mënyrë shumë impresionuese ambasadori i Gjermanisë në Kosovë. Mysafirëve gjermanë u kishte bërë përshtypje numri i madh i të rinjve këtu. Në këtë kontekst, Neuman u bëri pyetje anëtarëve te komisionit pse shumica e të rinjve inteligjentë synojnë ta braktisin Kosovën, për të gjetur hapësirë dhe kushte për jetesë në vende tjera. Ai tutje është interesuar për perspektivën e të rinjve të Kosovës, për vizionin që kanë ata dhe për atë se çfarë mund t’u ofrojë politika kosovare.

Deputetja, Blerta Deliu-Kodra është përgjigjur se Kosova është shtet i vogël dhe i pazhvilluar ekonomikisht, ndërkaq si arsye të këtij migrimi e ka parë përmendur vonimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ajo, ndërkaq e ka falënderuar shtetin gjerman për lejimin e vizave të punës për qytetarët e vendit tonë.. “Shteti ynë ende ka nevojë për ndihmën e juaj”, tha ne fund znj. Deliu.

Ndërsa, anëtari tjetër i Komisionit, Zafir Berisha, e falënderoi shtetin duke e quajtur Gjermaninë shtëpi që e ka ndihmua Kosovën, përveç se në punësim, edhe në arsim. Tutje Berisha shtoi se, Kosova ka kaluar nëpër vështirësi të mëdha, duke pohuar faktin se vendi edhe pas 18 viteve, ka ngecje në zhvillim ekonomik. “Ngecja në këtë fushë nuk na takon vetëm politikës Kosovare. Bashkësia ndërkombëtare ka pasur shume misione në Kosovë, si: UNMIK-un dhe EULEX-in të cilët e kanë keqpërdorur misionin e tyre, kurse ne, si shtet, ende i vuajmë pasojat e tyre”, ka theksuar Berisha.

Sekretarja e shoqatës, znj. Magrid Neuman, tha se për të pasur zhvillim ekonomik e rëndësishme është të rritet eksporti, si dhe prodhimi, këtu në Kosovë. “Përveç se siguri dhe zbatim të Ligjit, doemos kërkohet dhe të mos ketë korrupsion.”, ka thënë ajo. 
Ndërsa, Dimetre Zavlaris, anëtar i shoqatës, iu drejtua të pranishmëve: ” Ju politikanët vendosni se si duhet të zhvillohet vendi, ju jeni që krijoni afërsi me qytetarët, si ta bëni lidhjen mes ideve dhe politikave shtetërore”.

Ndërsa, krejt në fund, z. Neuman, potencoi se, thelbi i misionit të shoqatës së tyre është që, Evropa t’u ofrojë të rinjve udhëtime falas, në mënyrë që ata të njihen me Evropën, që të ofrohen me Bashkimin Evropian, në aspektin e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe edukativo-arsimor. Kjo do të ishte një mundësi e mirë për të gjithë të rinjtë e Kosovës, theksoi Neuman.

Kryetari Reçca, e përmbylli takimin me përfaqësuesit gjermanë, duke i siguruar ata, se Kosova është një vend i sigurt dhe demokratik. Ai kërkoi që të njihen më për së afërmi me realitetin kosovar dhe të mos u besojnë imazheve jo të mira për vendin tonë, të paraqitura në disa media. /KI/

Komentoni