Kosova

Ministrja Hoxha: Institucionet e Kosovës do të prodhojnë rezultate

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur në takim, Ministrin e Punëve të jashtme të Finlandës, Timo Soini, me të cilin diskutoi për perspektivën evropiane të Kosovës, të arriturat dhe sfidat e këtij procesi, si dhe shprehu përkushtimin e institucioneve për te punuar me shume dhe prodhuar rezultate.

Ministrja Hoxha, ka falënderuar ministrin Soini, duke shfaqur respekt për angazhimin e gjithanshëm të Finlandës në ngritjen e institucioneve demokratike dhe procesin integrues.

“Finlanda ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, me vështrim të veçantë në integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe procesin integrues. E falënderova Ministrin për ofrimin e përkrahjes edhe më tej”, theksoi Ministrja Hoxha, me ç’rast ka potencuar të arriturat dhe sfidat e këtij procesi, duke vënë në pah nevojën e qytetarëve tanë për liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, Ministri Soini ka theksuar se angazhimet institucionale për zbatimin e MSA-së janë proces që do ta mbështesin si dhe proceset e mëtejme integruese dhe liberalizimin e vizave. Ai ka theksuar rëndësinë e fuqizimit te gjyqësorit dhe pavarësisë se tij sidomos nga ndikimet politike.

Ministrja Hoxha theksoi se procesi integrues është prioritet dhe konsensus nacional, si dhe mirëpret përkrahjen e vendeve mike si Finlanda, për të realizuar sa më shpejt liberalizimin e vizave, ashtu që qytetarët e Kosovës të mos jenë të diskriminuar në raport me tërë rajonin e Ballkanit perëndimor. /KI/

Komentoni