Kosova

Ministri Rrahmani priti ambasadorin e ri Italian në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë priti sot në takim ambasadorin e ri Italian në Prishtinë, Z. Piero Cristoforo Sardi, ku i shprehi mirëseardhje dhe e përgëzoi për marrjen e detyrës së re. 

Ministri Rrahmani e informoi ambasadorin z. Sardi, për punën e madhe që është duke u bërë me reformën në shëndetësi, me ç’rast e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme, në këtë aspekt, duke shprehur dëshirën dhe gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve edhe më të ngushta në fushën e shëndetësisë me Qeverinë Italiane. 

Ministri Rrahmani tha se Qeveria italiane ka ndihmuar shëndetësinë kosovare në përgjithësi e në veçanti në fushat e identifikuara si prioritare siç është fusha e kardiokirurgjisë, ku ende po jep kontributin e saj. 

Ambasadori i ri italian në Kosovë, z. Piero Cristoforo Sardi, e falënderoi Ministrin Rrahmani për mikpritjen dhe tha do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në procesin e reformës në shëndetësi sikurse paraardhësi i tij. 

Ministri Rrahmani dhe Ambasadori Sardi shprehën vendosmërinë e tyre për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar në mënyrë konstruktive dhe thelbësore për të realizuar qëllimin e bashkëpunimit të shprehur edhe përmes marrëveshjes së bashkëpunimit në shëndetësi midis dy shteteve. /KI/

Komentoni