IntervistaToplajm

Ministri Murati: Diaspora – shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik

Që prej fillimit të mandatit në krye të Ministrisë së Diasporës, ideja ime ka qenë që diaspora jonë nuk duhet të shihet vetëm si potencial investiv në Kosovë, por edhe si konsumues i produkteve të vendit, pra kompanitë vendore, përmes përkrahjes së atyre nga diaspora, të depërtojnë në tregun ndërkombëtar, dhe kjo do të gjenerojë zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të punës në vend. Kështu ka deklaruar në një intervistë për Kosova Info, ministri i Diasporës, Valon Murati.

“Ashtu siç kanë qenë të gatshëm të jenë një prej shtyllave kryesore të çlirimit e pavarësimit të vendit, ata janë të gatshëm të jenë edhe një prej shtyllave kryesore të zhvillimit”, ka thënë Murati.

Ndërkaq, sa i përket interesimit të brezit të ri për vendin e origjinës, ministri Murati ka theksuar se, “nëse kjo lidhje të vazhdojë të jetë e fortë duhet të punohet shumë nga ana jonë”.

“Duhet t’i përfshijmë në politikat tona, përmes aktiviteteve kulturore e arsimore, t’u ofrojmë bashkëpunim në projekte të përbashkëta, të bëjmë rrjetëzimin e tyre etj. Pra, të zbatojmë modele të përshtatshme të përfshirjes së tyre në raport me vendin, në çdo aspekt që ata e shfaqin afinitetin e tyre. Sot, në kuadër të mundësive që kemi, jemi duke punuar mjaft mirë në këtë drejtim, por nevojat vazhdojnë të jenë përtej këtyre mundësive”, ka thënë ai.

Megjithatë ministri Murati ka një mesazh për të gjithë bashkatdhetarët tanë që vijnë në Kosovë,

“Regjistrohuni në regjistrin e diasporës sepse kjo do të na ndihmojë shumë në ndërtimin e politikave më të mira për ju”, ka thënë Murati në mesazhin e tij drejtuar bashkatdhetarëve.

Kosova Info: Z. ministër, Ministria e Diasporës është institucioni kryesor që bënë organizimin e pritjes së bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës. Meqë tashmë ka filluar ardhja e tyre, sa jeni duke i përmbushur planet, aktivitetet që do t’i realizoni gjatë këtyre muajve.

Valon Murati: Këtë vit, Ministria e Diasporës qysh herët i ka nisur përgatitjet për përgatitjet për t’u ofruar shërbime sa më efikase bashkatdhetarëve gjatë qëndrimit në Kosovë, duke i bashkërenduar aktivitetet me institucionet komunale dhe organizata e ndryshme joqeveritare. Ne kemi bërë përpjekje që të përgatitemi sa më mirë për pritjen e bashkatdhetarëve, dhe besoj që kjo verë do të jetë mjaft atraktive për bashkatdhetarët.

Mund të them se aktivitetet tona kanë filluar qysh në fund të majit, me mbajtjen e panairit të punës, i organizuar në bashkëpunim me Odën Ekonomike gjermane e partnerë të tjerë, ku kompani të ndryshme patën ofruar rreth 1,200 vende pune. Pastaj, në fillim të qershorit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Odën e Avokatëve të Kosovës, MeD ka organizuar konferencën me avokatët dhe juristët nga diaspora.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Rinisë, Sportit dhe Mirëqenies Sociale së Republikës së Shqipërisë, kemi lancuar programin për praktikantët nga diaspora, për të cilin të rinjtë shqiptarë që jetojnë jashtë kanë shfaqur shumë interesim.

Ministria e Diasporës, në kuadër të Ditëve të Diasporë, bashkë me komunat e OJQ të ndryshme, ka përgatitur mbi 200 aktivitete kulturore, arsimore e sportive. Që bashkatdhetarët të njoftohen për këto aktivitete, MeD ka përgatitur një kalendar me aktivitete të ndryshme.

Përveç manifestimit qendror më 1 dhe 2 gusht, kur shënohet edhe zyrtarisht Dita e Diasporës, do të organizohen edhe 2 kampe: njëri kamp do të mbahet në parkun Gërmia me të rinjtë e moshës 15-17 vjeçare, i organizuar në bashkëpunim me OJQ-në “Toka jonë” dhe tjetri, shkolla verore, që do të mbahet nga 31 korriku deri më 1 gusht, i organizuar në bashkëpunim me institutin EdGuard dhe me AUK-un.

Në këto kampe, përveç aktiviteteve kulturore, do të ofrohen mësime për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare. Po ashtu, do të mbahet edhe kuizi i diturisë, aktivitet mësimor tashmë i përvitshëm, ku nxënësit shqiptarë nga diaspora i shpalosin njohuritë e arritura nga gjuha shqipe, historia e gjeografia.  

Kosova Info: Para disa ditësh keni realizuar vizita me kryetarët e komunave të Kosovës, ku jeni informuar me planet, aktivitete që ata do t’i realizojnë gjatë ditëve, ku Diaspora është prezentë më fluks më të madh në Kosovë. Konkretisht, sa janë zotuar përfaqësuesit komunal, që pritja e bashkatdhetarëve do të jetë më e mirë sesa viteve tjera.

Valon Murati: Gjatë vizitave të realizuara në komunat e Kosovës për bashkërenditjen e aktiviteteve tona, u njoha nga afër me përgatitjet që komunat kishin bërë për pritjen e bashkatdhetarëve. Pothuajse, të gjitha komunat, në agjendat e tyre, përveç aktiviteteve kulturore e sportive, i kanë edhe takimet me bashkatdhetarë.

Në këtë drejtim, komunave u kam rekomanduar që të mbajnë takime edhe me biznese nga diaspora, të krijojnë kontakte me bizneset e vendit, të shpalosen projekte konkrete për investime, t’u tregohet ku mund t’i orientojnë investimet e tyre, si t’u krijohen kushte për investime.

Kosova Info: A janë të përgatitura, apo sa janë mobilizuar komunat, sidomos shërbimet administrative, që kanë punë shumë më shumë këto ditë, sidomos në shërbimet e oficarisë, certifikatat e ndryshme, etj, dhe po ashtu a do të kujdestari në shërbimet administrative, për shkak të volumit të shumë të punëve?

Valon Murati: Është e rëndësishme që të gjitha komunat të jenë të mobilizuara për këta muajt e verës, kur kemi një fluks të madh të bashkatdhetarëve që vijnë në vendlindje. Ato i kanë shtuar kapacitetet për ofrimin e shërbimeve komunale, një pjesë e tyre e kanë zgjatur orarin e punës deri në orën 18:00 ose 19:00 për çdo ditë pune.

Po ashtu, disa komuna kanë vendosur e-kioska që do ta lehtësojnë punën për nxjerrjen dokumenteve të gjendjes civile, në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata. Madje, në disa prej komunave do të punohet edhe të shtunave deri në ora 12:00.

Kosova Info: A kanë komunat projekte konkrete për bashkatdhetarët, të cilët janë të interesuar për të bërë biznes në Kosovë?

Valon Murati: Me të gjitha komunat e Kosovës, jemi në koordinim të përhershëm dhe në shumë aktivitete tona kemi edhe partneritet të përhershëm. Ndër të tjera, sot në të gjitha komunat e vendit janë të caktuar edhe Zyrtarët Ndërlidhës Komunal për Diasporën, të cilët janë trajnuar nga Ministria e Diasporës dhe shërbejnë si ura lidhëse ndërmjet dy shtyllave të pushtetit, atij lokal dhe qendror.

Kosova Info: Z. ministër, tashmë ka filluar fushata “Ditët e Diasporës- Ti je pjesë e Atdheut”, që ka të bëjë kryesisht me regjistrimin e Diasporës. A keni ndonjë të dhënë, apo statistikë se sa bashkatdhetar janë regjistruar deri më tani, dhe njëherit a mund të na tregoni se a ka ndryshim nga vitet e kaluar interesimi për regjistrimin e Diasporës ?

Valon Murati: Duke pasur parasysh se regjistrimi i diasporës është një projekt me rëndësi të madhe për Kosovën, edhe sivjet do të vazhdojë fushata “Ti je pjesë e atdheut”, e filluar para dy javësh. Sivjet, për dallim prej viti të kaluar, i kemi të angazhuar 200 regjistrues, të cilët do të vendosen nëpër komuna të Kosovës dhe në aeroport. Aty ku do të ketë aktivitete, do të jenë të koncentruar edhe regjistruesit, të cilët do ta bëjnë regjistrimin e bashkatdhetarëve.

Po ashtu, edhe këtë vit, në kuadër të bashkëpunimit me Telekomin e Kosovës, “Vala” ka rezervuar 50,000 numra të rinj që do të shpërndahen për të gjithë ata bashkatdhetarë, që do të regjistrohen.

Kosova Info: Edhe pse regjistrimi i Diasporës, ka vite që ka filluar, a mund të na tregoni të paktën, se deri ku ka shkuar ky proces deri më sot, dhe sa është numri i regjistrimit të Diasporës në përgjithësi?

Valon Murati: Është vështirë të flitet me shifra të sakta, por duke u nisur nga viti i kaluar, kur procesit të regjistrimit i janë përgjigjur 200 mijë bashkatdhetarë, besoj se edhe këtë vit numri i atyre që regjistrohen do të rritet dukshëm.

Ne si MeD kemi bërë përpjekje që përmes intervistave e spoteve në media ta vetëdijesojmë opinionin nga diaspora dhe t’i bëjmë thirrje që t’i përgjigjet pozitivisht procesit të regjistrimit, në mënyrë që të arrijmë të ndërtojmë politika më të mira shtetërore dhe kombëtare për diasporën tonë.

Kosova Info: Sa prisni që të regjistrohen sivjet gjatë kësaj fushate, pasi që tashmë z. Ministër keni krijuar një përvojë në këtë drejtim?

Valon Murati: Edhe këtë vit synojmë të kemi një numër të madh të atyre që do të regjistrohen, ngase në fund të vitit përfundon edhe regjistrimi që ne e quajmë fizik dhe aktiv i diasporës.

Ndërkaq, nga viti i ardhshëm, kur do t’i kemi rezultatet e para, do të vazhdojë regjistrimi online ose pasiv i diasporës, si dhe regjistrimi nëpër konsullatat e ambasadat që i kemi nëpër botë, atje ku është e koncentruar diaspora jonë.

Është vështirë të jap ndonjë shifër se sa presim të regjistrohen, por deri më tani kemi pasur përgjigje të mira nga bashkatdhetarët, e sa i përket shifrave mbetet të presim fundin e fushatës.

Kosova Info: Z, Ministër si i komentoni disa zëra, të analistëve, opinionistëve, e sociologëve, se gjeneratat e reja kanë humbë interesimin për vendin ë tyre të origjinës, pra Kosovës, çoftë për investime, çoftë edhe diçka më të madhe për vendin, si p.sh kthimin e tyre për të kontribuuar në vend në fushën e arsimit, të shkencës, të kulturës etj?

Valon Murati: Një interpretim objektiv i realitetit do të na bënte te kuptojmë që diaspora jonë është në një fazë tranzitore. Kemi brezin e njerëzve tanë që kanë lindur në Kosovë, e që çdo ditë e më tepër po shkon drejt tkurrjes, në njërën anë, dhe brezin e të rinjve që kanë lindur jashtë Kosovës e që është në zgjerim të vazhdueshëm, në anën tjetër. Është krejtësisht e kuptueshme që ndjesia e gjeneratave për vendin e origjinës vetëvetiu nuk mund të jetë e njëjtë.

Nuk mund të pajtohem me atë se ka humbur interesimi i këtij brezi të ri për vendin e origjinës, por që kjo lidhje të vazhdojë të jetë e fortë duhet të punohet shumë nga ana jonë. Duhet t’i përfshijmë në politikat tona, përmes aktiviteteve kulturore e arsimore, t’u ofrojmë bashkëpunim në projekte të përbashkëta, të bëjmë rrjetëzimin e tyre etj. Pra, të zbatojmë modele të përshtatshme të përfshirjes së tyre në raport me vendin, në çdo aspekt që ata e shfaqin afinitetin e tyre. Sot, në kuadër të mundësive që kemi, jemi duke punuar mjaft mirë në këtë drejtim, por nevojat vazhdojnë të jenë përtej këtyre mundësive.

Kosova Info: Një ndër kërkesat e bashkatdhetarëve është edhe vendet e rezervuara për Diasporën në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Kohëve të fundit nuk keni qenë i zëshëm për këtë çështje, por a mund t’ju premtoni se ata së shpejti do t’i kenë vendet e rezervuara në institucionin më të lartë të vendit?

Valon Murati: Mendimi im personal është se krijimi i vendeve të rezervuara (mendoj se ky numër do të duhej të ishte 5 vende) do të ishte zgjidhja më e mirë për përfaqësimin e diasporës sonë në institucionet e vendit. Megjithatë siç e kam thënë tani më disa herë edhe publikisht, e të njëjtën ua kam thënë edhe bashkatdhetarëve në takime me ta, ky duhet të jetë një synim afat mesëm dhe afatgjatë, sepse në planin afatshkurtër ka vështirësi në realizimin e këtij projekti.

Problemi kryesor qëndron në vështirësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, për çka nevojiten jo vetëm 2/3 e tërë deputetëve të kuvendit, por edhe 2/3 e deputetëve të komuniteteve pakicë. Nëse e shikojmë se çka po ndodh me ndryshimet kushtetuese për çështjen e shndërrimit të FSK-së në ushtri, e kuptojmë vështirësinë e ndryshimeve të kushtetutës. Andaj vendet e rezervuara për diasporën duhet të jetë një projekt i së ardhmes, por i cili vështirë se do të implementohet në këto momente.

Kosova Info: Z. Ministër në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik keni kërkuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, që në mbledhjen e radhës të vij me një raport me propozime për rrugën që duhet të ndiqet për eliminimin e tarifës së sigurimit kufitar, që po vazhdon të godas diasporën, ekonominë e vendit por edhe qytetarët e Kosovës, sidomos kjo do të jetë e shprehur edhe më shumë pas liberalizimit të vizave. Sa është shuma që keni kërkuar për uljen e këtyre tarifave?

Valon Murati: Çështja e Kartonit të Gjelbër është njëra prej problematikave që i shqetëson vazhdimisht bashkatdhetarët. Ata posa të hyjnë në Kosovë, duhet ta bëjnë edhe pagesën e sigurimti kufitar.

Jam i vetëdijshëm se kjo situatë është kështu, meqë Kosova ende nuk është pjesë e Këshillit të Byrove me qendër në Bruksel. Edhe pse jam i vetëdijshëm që statuti i Këshilli të Byrove e specifikon se një vend duhet të jetë anëtarë i OKB-së për të qenë anëtar i Këshillit dhe rrjedhimisht të përfshihet në sistemin e Kartonit të Gjelbër, unë konsideroj se duhet bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje alternative për këtë çështje.

Ajo që kam kërkuar unë, nuk është vetëm ulje e shumës, por gjetja e zgjidhjes për të hequr tarifën në tërësi. Si rezultat i kërkesës sime Byroja Kosovare e Sigurimeve në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar për Zhvillimi Ekonomik, do të raportojë mbi rrugët që ajo propozon se duhet të ndiqen që ky problem të zgjidhet qoftë në planin afatshkurtër qoftë në atë afatgjatë. Tani më kjo situatë godet edhe ekonominë e vendit si dhe vetë qytetarët e Kosovës, të cilët lëvizin jashtë Kosovës (e cila do të rëndohet edhe më shumë me liberalizimin e vizave).

Gjithashtu në mbledhjen e fundit të KKZHE-së, kam insistuar që sa më shpejt të krijohen mundësitë që bashkatdhetarët të bëjnë pagesën e tarifës kufitare online dhe të mos presin nëpër kufi, kjo normalisht si një zgjidhje e përkohshme, por e dobishme në planin praktik (të mos pritjes në kufi). Përfaqësuesit e BSK-së, premtuan se ky projekt është në përfundim e sipër.

Kosova Info: A do të ballafaqohet prapë bashkatdhetarët tanë me pritej të shumta në kufi?

Valon Murati: Ministria e Diasporës i ka koordinuar aktivitetet edhe me Policinë e Kosovës, sa u përket masave të sigurisë në komunikacion dhe në pikat kufitare. Policia e Kosovës e ka shtuar numrin e personelit në pikat kufitare, që bashkatdhetarëve t’u krijohen lehtësi në qarkullim dhe të mos presin gjatë me rastin e kalimit kufitar.

MeD, bashkë me Policinë e Kosovës, do t’i pajisë bashkatdhetarët me një broshurë informative, në të cilën do t’i kenë të gjitha informatat për nevojat që mund t’i kenë gjatë qëndrimit në Kosovë. Gjithashtu, në bashkëpunim me Policinë, është aktiv edhe një aplikacion, përmes të cilit bashkatdhetarët mund të informohen se si është situata në pikat kufitare, me mundësi që t’i shfrytëzojnë edhe pika e tjera alternative, si ajo e Mutivodës ose e Muqibabës, në mënyrë që t’u ikin radhëve të gjata të pritjes.

Kosova Info: Z. Ministër, gjatë vitit keni pasur disa aktivitete të shumta edhe jashtë vendit, sidomos të Ministrisë në komunikim të drejtpërdrejt me bizneset. Çka është diskutuar në këto aktivitete, dhe cilat janë format e komunikimit për informacionet që bashkatdhetarëve ju intereson, pikërisht në fushën e të bërit biznes?

Valon Murati: Ministria e Diasporës, në bashkëpunim edhe me partnerët e saj, ka organizuar vazhdimisht aktivitete të natyrës ekonomike, që në thelb kanë për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit. Varësisht nga lloji i aktivitetit, janë trajtuar tema të ndryshme. Në disa prej tyre, është diskutuar për gjetjen e formave alternative të investimeve.

Në shumicën prej tyre diskutohen cështje si fushat e identifikuara si me më interes për investime, funksionimi i sistemit gjyqësor, infrastruktura ligjore dhe ajo fizike, politikat fiskale e deri te problemet individuale të investitorëve të caktuar. Gjithashtu, sivjet janë organizuar edhe forume dhe takime B2B në Austri, Gjermani dhe Zvicër, në të cilat një delegacion i përbërë nga përfaqësues të bizneseve nga Kosova, i kanë prezantuar kompanitë e tyre para kompanive të diasporës sonë në vendet përkatëse. Ideja ime prej fillimit të mandatit si ministër ka qenë që diaspora jonë nuk duhet të shihet vetëm si potencial investiv në Kosovë por edhe si konsumues i produkteve të vendit.

Prandaj, edhe ky aktivitet ka qenë në kuadër të kësaj filozofie. Pra, gradualisht, kompanitë vendore, përmes përkrahjes së atyre nga diaspora, të depërtojnë në tregun ndërkombëtar. Kjo, normalisht, do të gjenerojë zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të punës në vend.

Kosova Info: Gjykatës Themelore në Prishtinë ka themeluar divizioni për kontestet lidhur me investitorët e huaj. Padyshim se krijimi i këtij divizioni do të ndikojë pozitivisht sidomos në trajtimin më efikas të rasteve të investitorëve të jashtëm ku përfshihet edhe Diaspora, si dhe shkarkimin e barrës nga gjykatat e tjera. Sa do të jetë lehtësuese për Diasporën krijimi i këtij divizioni, dhe a do të jetë një adresë më e besueshme për trajtimin më të shpejtë të rasteve?

Valon Murati: Gjithmonë duke u besuar në funksionalizimin e saj sa më të shpejtë me kapacitete të plota, konsideroj se themelimi i këtij divizioni do të jetë një ndihmesë e jashtëzakonshme për investitorët nga diaspora. Fakti që ekziston një numër i madh i lëndëve në gjykata është shumë dekurajues për këta investitorë. Madje, ky realitet është keqpërdorur maksimalisht nga keqbërësit e ndryshëm duke përfituar paligjshëm dhe duke dëmtuar rëndë jo vetëm investitorët individualisht por edhe imazhin e Kosovës në përgjithësi si një vend për investime nga jashtë.

Tani më investitorët e jashtëm, e në këtë kuadër edhe ata nga diaspora e kanë një adresë ku mund t’i shtrojnë cështjet e tyre dhe të marrin një përgjigje më të shpejtë. Prandaj, dua ta shfrytëzoj edhe këtë mundësi për t’i inkurajuar të gjithë investitorët nga diaspora që ta shfrytëzojnë këtë mekanizëm që është ndërtuar ekskluzivisht për ta.

Kosova Info: Z. Ministër, një çështje tjetër shumë e rëndësishme, por që disi na përvidhet ku kemi të bëjmë me aspektin ekonomik të Diasporës. Na vinë qindra, apo edhe miliona euro nga remitancat, e të cilat kryesisht ato shpenzohen për konsum, dhe shumë pak prej atyre mjeteve, orientohen pikërisht për investime dhe krijimin e vendeve të reja të punës. A keni ndonjë projekt konkret për t’ju bërë me dije Diasporës, së remitanca duhet të shkojnë në investime dhe në zhvillim ekonomik, e jo vetëm në konsum dhe shpenzime të përditshme?

Valon Murati: Nga viti në vit remitencat ndjekin një trend rritjeje. Vitin e kaluar nga diaspora jonë kanë hyrë rreth 750 milionë euro. Normalisht, është e pamundur që të gjitha mjetet financiare që hyjnë si remitenca të kthehen në investime. Por, me qëllim që një pjesë e tyre por edhe që të stimulohen të hyra shtesë, ne, si ministri, jemi duke punuar në një projekt në të cilin, në bazë të bisedimeve paraprake, do të përfshihen edhe institucione tjera. Fjala është për grante korresponduese në fushën e bujqësisë dhe të teknologjisë informative.

Pra, ideja është që aplikuesi, për projektin që do ta prezantojë, të participojë me një shumë të parave që vijnë nga diaspora, dhe pjesa tjetër të plotësohet nga fondi për grante. Kjo do të ndihmojë që të krijohet një pavarësi financiare e njerëzve që jetojnë në Kosovë e njëkohësisht do të ndihmojë në gjenerimine vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik. Jemi në fazën e konsultimeve me partnerët tjerë dhe synimi është që me një projekt pilot të fillojmë vitin e ardhshëm.

Kosova Info: Kur kemi parasysh investimet, apo tërheqjen e investimeve nga jashtë, padyshim se bëhet fjalë për Diasporën tonë. Prandaj, Ministritë e Qeverisë së Kosovës, në kohët e fundit kanë bërë disa lëvizje në këtë drejtim. Sa është informuar Diaspora për këto lëvizje, si p.sh në politikat fiskal në regjistrimin e bizneseve etj?

Valon Murati: Termi Diasporë është mjaft i gjerë. Është e vështirë të dihet se në çfarë përmase janë të informuar. Por, ne si ministri, kemi arritur të krijojmë shumë rrjete të bizneseve nëpër tërë botën të cilat janë në kontakte të vazhdueshme me institucionet e vendit e rrjedhimisht edhe të informuara me lëvizjes në aspektin e të bërit biznes në vend.

Gjithashtu, organizojmë takime e forume të ndryshme me biznese, të cilat njoftohen për zhvillimet në këtë drejtim. Përvec kësaj, nuk duhet të harrojmë që diaspora jonë është shumë e lidhur me vendin dhe i përcjellin vazhdimisht zhvillimet këtu.

Kosova Info: Z, ministër, cili është mesazhi juaj drejtuar bashkatdhetarëve, të cilët janë të gatshëm të investojnë në Kosovë, e po ashtu edhe për të rinjtë, të cilat janë të gatshëm për tu kthyer në atdheun e tyre?

Valon Murati: Unë jam në kontakte të vazhdueshme me biznese nga diasporës. Konsideroj që sa i përket investimeve të tyre në Kosovë nuk ka fare nevojë që ne t’u dërgojmë mesazhe atyre. Ajo që duhet të ndodhë është që ne t’i dëgjojmë me vëmendje mesazhet e tyre për ne. Ata, ashtu sic kanë qenë të gatshëm të jenë një prej shtyllave krysore të çlirimit e pavarësimit të vendit, janë të gatshëm të jenë edhe një prej shtyllave kryesore të zhvillimit të tij.

Ndërsa, sa u përket të rinjve do t’i ftoja të përfshihen në projektin e Ministrisë së Diasporës për rrjetëzimin e tyre, sepse kështu do të mund të krijojnë kontakte të reja, të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta dhe në këtë mënyrë ta njohin më mirë vendin e origjinës dhe të manifestojnë identitetin e tyre.

Në fund, meqë jemi në periudhën kur bashkatdhetarët tanë vijnë në Kosovë, të gjithëve do t’ua drejtoja një mesazh: regjistrohuni në regjistrin e diasporës sepse kjo do të na ndihmojë shumë në ndërtimin e politikave më të mira për ju. Këtë mund ta bëni në të gjitha sheshet e qyteteve, aeroport, objektet e postës dhe objektet Komunës.

Intervistoi: Lumturie BEKA

Komentoni