Intervista

Mimoza Ahmetaj: Jam e vetëdijshme për rëndësinë e liberalizimit të vizave

Objektivi kryesor i Ministres për Integrim Evropian, Mimoza Ahmetaj, është që proceset e filluara t’i shtynë më tutje drejt finalizimit të suksesshëm. Megjithatë, ajo ka veçuar se sundimi i rendit dhe ligjit është fokusi kryesor, prandaj edhe reformat në këtë sektor si dhe financimi i qëndrueshëm, janë pjesë të së cilës, do t’i dedikohet pjesa më e madhe e buxhetit dhe angazhimit të institucioneve tona në kuadër të implementimit të MSA-së.

Sa i përket çështjes së demarkacionit, se a do të zgjidhet brenda një kohe të shkurtët, pasi që është njëri ndër kriteret kryesore për liberalizimin vizave, ministrja Ahmetaj ka thënë se “çdo herë besoj në vullnetin e deputetëve, dhe se jam e vetëdijshme për rëndësinë që ka liberalizimi i vizave”.

Në një intervistë, ekskluzive për Kosova Info, ministrja Ahmetaj, ka folur edhe për detyrën e saj si Ambasadore në Bruksel, dhe tani Ministre e Integrimit Evropian.

“Si Ministre, si pjesë e ekzekutivit, hartoi dhe realizoi politika, në të njëjtën kohë duhet menaxhuar me Ministrinë dhe planifikimin e punës së përditshme. Ndërsa, si Ambasadore detyrë ka qenë përcjellja e mesazhit nga institucionet tona tek ato në Bruksel”, ka theksuar ministrja Ahmetaj.

Duke folur për aplikimin për statusin e kandidatit, ajo ka shtuar se kjo çështje nuk mund të përcaktohet me afatet arbitrare.

“Ne duhet të punojmë në zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga MSA, dhe rrjedhimisht, pas zhvillimit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe BE-së, institucionet e Kosovës do të procedojnë me aplikimin për statusin e kandidatit”, ka thënë ajo.

Kosova Info: Znj. Ministre, vetëm pak muaj më parë nga pozita e Ambasadores, tani jeni në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian. Si e gjetët Ministrin e Integrimit Evropian, dhe a keni menduar se çka mund të bëni, në momentin që jeni emëruar Ministre?

Mimoza Ahmetaj: Ministria e Integrimit Evropian është Ministri e konsoliduar me staf të profesionalizuar dhe të përgatitur për t’u ballafaquar me procesin e integrimit evropian. Objektiv i imi është që proceset e filluara ti shtyj më tutje drejt finalizimit të suksesshëm.

Kosova Info: A mendoni se punën si Ambasadore, e po ashtu edhe si Ministre do ta keni të njëjtë, pasi që sa ishit Ambasadore në Bruksel, keni qenë pjesë e nënshkrimit të MSA-së dhe çështjeve tjera më rëndësi në fushën e integrimit. A do të thotë se puna juaj është e njëjtë, por se vetëm keni ndërruar lokacionit nga Brukseli në Prishtinë?

 Mimoza Ahmetaj: Pas nënshkrimit të MSA-së, objektivat e Kosovës në raport me BE-në, vetëm sa shkojnë duke u zgjeruar dhe shtuar në vëllim. Unë kam qenë deputete e Kosovës, kur e kemi nënshkruar Pavarësinë e vendit, Ambasadore kur e kemi nënshkruar MSA-në, tani po e përcjellë procesin e implementimit të MSA-së, pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së, reformat në institucionet tona, procesin e liberalizimit të vizave dhe çdo proces tjetër, në të cilin Kosova është duke kaluar.

Prandaj, orientimi ynë, obligimet dhe përgjegjësitë mbesin të njëjta. Ndërkohë, që si Ministre, si pjesë e ekzekutivit, hartoi dhe realizoi politika, në të njëjtën kohë duhet menaxhuar me Ministrinë dhe planifikimin e punës së përditshme. Ndërsa, si Ambasadore detyrë ka qenë përcjellja e mesazhit nga institucionet tona tek ato në Bruksel.

Kosova Info: Znj. Ministre, esenciale është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Cilat janë planet e juaja në këtë drejtim, pasi që ka dy kushte që Kosova ende nuk I ka përmbushur. Cila do të jetë ndihma juaj, në mënyrë që këto dy kushte të tejkalohen?

Mimoza Ahmetaj: Jam e vetëdijshme për rëndësinë që liberalizimi i vizave, e ka për qytetarët tanë dhe prandaj jam në vazhdimësi duke u munduar që edhe kriterin e fundit ta realizojmë së bashku me deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kosova Info: A besoni se çështja e demarkacionit do të zgjidhet brenda një kohe të shkurtët?

Mimoza Ahmetaj: Çdo herë besoj në vullnetin e deputetëve, dhe e di se janë shumë e vetëdijshme për rëndësinë që për qytetarët e Kosovës ka vota e tyre, që ky proces të përfundoj sa më shpejtë. Qytetarët tanë kanë pritur mjaft gjatë, dhe nuk meritojnë të mbahen edhe më gjatë të izoluar për shkak të tejzgjatjes së procedurave brenda institucioneve tona.

Kosova Info: Keni qenë në Bruksel për një kohë dhe keni parë se si kanë funksionuar diskutimet me shtetet e rajonin për liberalizimin e vizave. A konsideroni se është bërë padrejtësi me Kosovën sa I përket kushtit për miratimin e demarkacionit, pasi që është I vetmi vend që I është kërkuar ta bëjë një vend të tillë?

Mimoza Ahmetaj: Kosovës i janë kërkuar më tepër kritere për t’u plotësuar në udhërrëfyesin për viza, por ne i kemi plotësuar të gjitha dhe opinioni publik asnjëherë nuk është ngarkuar me obligimet që ne i kemi pasur si institucione. E rëndësishme është të përmbushen obligimet tona, pa u kthyer dhe vënë në diskutim pyetësorin e Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave.

Kosova Info: Znj. Ministre, cilat janë pritjet e juaja , a mund të ndodh diçka brenda këtij viti sa i përket liberalizimit të vizave, pra a do të ketë liberalizim të vizave gjatë vitit 2017?

Mimoza Ahmetaj: Po. Çdo gjë do të varet nga koha kur e ratifikojmë demarkacionin, pastaj mund të flasim për afate kohore.

Kosova Info: A keni frikë se në coftë se gjatë vitit 2017-të, mund ta kemi liberalizimin e vizave,dhe kjo të keqpërdoret nga një masë e madhe e qytetarëve tanë, që ata të largohen nga Kosova, pasi që para dy viteve kemi pas një fluks të madh të qytetarëve që kanë ikur nga Kosova drejt vendeve të BE-së në rrugë ilegale?

 Mimoza Ahmetaj: Ne posaçërisht nga viti i kaluar kur e kemi marrë opinionin pozitiv për liberalizim të vizave, kemi intensifikuar aktivitetet e informimit për publik se çka në të vërtetë lejohet dhe çka nuk lejohet për qytetarët tanë në kohën kur të fillojnë të lëvizin lirshëm. Përvoja e dy viteve më herët po ashtu ka qenë mësim i marrë për neve, që të jemi më mirë të përgatitur se si t’i qasemi sfidave të reja që mund të dalin para neve.

Kosova Info: Znj. Ministre, sa jeni e kënaqur me zbatimin e MSA-së, dhe cilat janë raportet që tani keni me Brukselin për këtë çështje?

Mimoza Ahmetaj: MSA, është duke u implementuar ashtu siç edhe e kemi planifikuar, tani jemi në vitin e dytë të implementimit të saj kur shumica e institucioneve që dalin nga ajo janë krijuar dhe janë duke e bërë punën e vetë.

Kosova Info: Cili është buxheti për zbatimin apo implementimin e MSA-së?

Mimoza Ahmetaj: Buxheti për implementimin e MSA-së, planifikohet nga viti në vit, ashtu si vazhdojmë me reforma ashtu planifikohet edhe buxheti. Për periudhën 2017-2021 është planifikuar buxheti rreth 480 mil.euro, dhe është përkrahur programi per implementimin e saj si nga Kuvendi, ashtu edhe nga Qeveria.

Kosova Info: Kapitull i veçantë i MSA-së, është edhe sundimi I rendit dhe ligjit. A do të jetë një ndër prioritete kyçe të MIE-së, që ky kapitull të implementohet në tërësi, pasi që shpesh herë Kosova është kritikuar nga institucionet e BE-së së nuk është duke bërë aq sa duhet për sundimin e ligjit?

Mimoza Ahmetaj: Sundimi i rendit dhe ligjit është fokusi jonë kryesor prandaj edhe reformat në këtë sektor si dhe financimi i qëndrueshëm janë pjesë të cilës do t’i dedikohet pjesa më e madhe e buxhetit dhe angazhimit të institucioneve tona në kuadër të implementimit të MSA-së.

Kosova Info: Znj. Ministre, Qeveria ka aprovuar Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për periudhën 2017-2021. Sa do të jetë buxheti për zbatimin e këtij programi, dhe në cilat institucione kërkohet të ketë më shumë reforma?

Mimoza Ahmetaj: Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është miratuar nga Qeveria dhe Kuvendi. Buxheti i Programit është 485 milion euro. Programi adreson reformat në kuadër të kritereve politike, ekonomike dhe përafrimit me legjislacionin e BE-së.

Kosova Info : Znj. Ministre ka nisur procesi i planifikimit për IPA 2018-2020, si dhe shqyrtimi i vendimit për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në pesë programe të Bashkimit Evropian. Deri ku ka shkuar ky proces, pasi që keni patur reagime nga disa ministra të kabinetit qeveritarë?

Mimoza Ahmetaj: Planifikimi për IPA 2018-2020 ka filluar dhe do të kryhet deri në qershor. Ndërsa, për sa i përket programeve të BE-së, Qeveria ka marrë vendim të marrë pjesë në 4 prej tyre fillimisht sikurse: Erasmus+, Cosme, Evropa Kreative dhe Evropa për qytetarët. Deri në fund të këtij viti do të finalizohen procedurat për marrëveshje individuale për secilin program, ashtu që të kemi qasje në vitin 2018.

Kosova Info: Është bërë tashmë publike edhe procesi i programimit të IPA 2016 dhe 2017, si dhe qasja e Kosovës në Programet e BE-së. Sa është shuma financiare që Kosova do të përfitoj nga këto programe, dhe njëherit sa është numri i programeve dhe çka përmbajnë këto programe?

Mimoza Ahmetaj: Në kuadër të IPA 2016, Kosova do të përfitoj 45.5 milion për pjesën e parë, dhe 25 milion për pjesën e dytë. Ndërsa, për IPA 2017, Komisioni ende nuk e ka miratuar programin, por, pritet diku afërsisht deri në 80 milion. Sa i përket programeve të BE-së, aty do të aplikojnë individualisht organizatat e ndryshme, për info më të detajuara referoheni të broshura e publikuar ne uebfaqe të MIE.

Kosova Info : Znj. Ministre, cili është koordinimi mes Ministrisë së ju drejtoni dhe Komunave të Kosovës, sa i përket programeve të IPA-s?

Mimoza Ahmetaj: MIE koordinon në nivelin qendror, ndërsa Ministritë sektoriale kryejnë koordinimin me Komunat, sipas nevojës për projekte specifike.

Kosova Info: Përpos liberalizimit të vizave dhe implementimit të MSA-së, çka tjetër do të pasoj për Republikën e Kosovës drejtë rrugës së Integrimit Evropian?

Mimoza Ahmetaj: Me hyrjen në fuqi të MSA-së, procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE ka marr formën e plotë kontraktuale dhe politike, në mënyrë të barabartë sikur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Tani institucionet e Kosovës, janë duke punuar në zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga MSA dhe rrjedhimisht, pas zhvillimit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe BE-së, institucionet e Kosovës do të procedojnë me aplikimin për statusin e kandidatit.

Kosova Info: Znj. Ministre, a e pret një rrugë e gjatë Kosovën edhe drejtë anëtarësimit në Bashkimit Evropian, dhe a ka ndonjë periudhë se kur Kosova mund të aplikoj për statusin kandidatë?

Mimoza Ahmetaj: Aplikimi për statusin e kandidatit nuk mund të përcaktohet me afatet arbitrare. Ne duhet të punojmë në zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga MSA, dhe rrjedhimisht, pas zhvillimit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe BE-së, institucionet e Kosovës do të procedojnë me aplikimin për statusin e kandidatit.

Kosova Info: Është përmendur kohëve të fundit se ekziston mundësia e shkrirjes së MIE-së, në një Departament në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme. A mendoni se është gjë e mirë kjo, dhe a ka nevojë për ekzistimin edhe për një kohë të gjatë të MIE-së?

Mimoza Ahmetaj: Procesi i integrimit Evropian kërkon lidership ditor politik dhe koordinim kompleks teknik të procesit të anëtarësimit. Në këtë drejtim, konsideroj që do të kishte qenë jashtëzakonisht e dëmshme ndryshimi i çfarëdo aranzhimi institucional për menaxhimin e procesit të integrimit Evropian në Kosovë.

Intervistoi: Lumturije BEKAJ

Komentoni