Sport

Milinkovic: Ndaj Partizanit, për fitore

Vetëm 2 fitore ndaj Partizanit në 15 takime dhe të dyja në Zeqir Ymeri. Statistikat nuk flasin aspak në favor të Kukësit që në 5 vitet e fundit nuk i ka mposhtur asnjëherë të Kuqtë në transfertë. Por këtë të Hënë, kampionët e Shqipërisë kërkojnë të thyejnë tabunë Partizani pasi në Selman Stërmasi do të zbresin në fushë vetëm për fitore. Trajneri Mladen Milinkovic në konferencën për shtyp në vigjilie të supersfidës së javës së 2-të në kategorinë Superiore paralajmëroi të tijët se Partizani ndaj Kukësit, nuk do të jetë ai i ndeshjes së parë ndaj Lacit por nga ana tjetër tekniku serb beson te forca e skuadrës së tij.

“Ne do të luajmë për të fituar. Jo vetëm ndaj Partizanit por përballë cdo skuadre Kukësi, hyn në fushë për të fituar pasi vetëm kështu mund ti arrimë objektivat që i kemi vendosur vetes. Kemi punuar shumë edhe nga ana psikologjike sepse kemi patur disa probleme në këtë aspekt. Duhet të kemi më shumë besim te forcat tona dhe të mendojmë pozitivisht përpara cdo takimi. Besoj se me një fitore të mundshme ndaj Partizanit do të gjejmë celësin fitues për ti bërë gjërat mirë në këtë sezon”.

Kukësi e ka nisur sezonin e ri me një humbje në Superkupën e Shqipërisë ndaj Tiranës dhe me një fitore të vështirë në kampionat ndaj Kamzës. Sipas Milinkovic, statusi i skuadrës kampione shton presionin te futbollistët e tij, përpara një ndeshjeje kaq të rëndësishme, por kjo nuk duhet të përdoret si alibi.

“Fakti që jemi skuadra kampione në fuqi ndikon në aspektin e presionit. Futbollistët kanë më shumë presion tani, por edhe te Partizani ka presion pasi bëhet fjalë për një skuadër që ka fituar shumë tituj, megjithatë ne duhet të jemi më të qetë dhe ta kalojmë këtë ngërc psikologjik kur zbresim në fushën e lojës. I kemi studiuar pikat e dobëta të Partizanit, por në sfida të tilla vendos edhe fati”.

Albi Alla është një nga futbollistët më të paguar që ka aktualisht Kukësi në dispozicion, por prania e tij në formacion në ndeshjen ndaj skuadrës së Mark Iulianos nuk është e sigurtë. Milinkovic foli edhe për sulmuesit, nga të cilët pret shumë.

“Unë nuk shikoj sa paguhet një lojtar por shoh mënyrën sesi stërvitet dhe atë që jep në fushë. Zgjedhjet e mia i bëj në bazë të formës së futbollistëve, të shohim deri të Hënën nëse Alla do të luajë apo jo. Emini dhe Pejic bënë një sezon shumë të mirë. Tashmë kemi Gurin, Aliyev dhe Bakajn, presim që këta futbollistë  të shënojmë sa më shumë por në këto momente e rëndësishme është që të fitojë skuadra, unë do të kënaqesha edhe nëse sulmuesit do të jepnin asist për gol”.

Në fund, trajneri serb sqaroi të gjithë opionin sportiv për raportin që ekziston mes tij dhe presidentit Safet Gjici.

“Presidenti Gjici është një nga faktorët kryesorë që unë sot jam pjesë e Kukësit. Shkruhet shumë që unë kam një raport të vështirë me të por nuk është e vërtetë, ai nuk ushtron aspak presion te stafi teknik dhe te futbollistët. Ai bën punën e tij si president por raporti mes nesh është shumë i mirë”. /ss

Komentoni