Sport

Milani dhe tifozët kuqezinj tranden nga një lajm i keq në këtë fillim sezoni

Milani ka marrë një lajm të tmershëm ditën e djeshme. Mbrojtësi Andrea Konti, në një përplasje loje, ka këputur ligamentet e gjurit të majtë. Lojtari, që ishte drejt riaftësimit pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e Italisë ndaj Izraelit, ndëshkohet rëndë nga fati i keq.

Shkalla e dëmtimit është serioze dhe kohët e riaftësimit kalojnë nga katër deri në gjashtë muaj. Pas analizave në orët e pasdites, lëndimi i 23-vjeçarit u konfirmua pas një serie kontrollesh. Vetë klubi i Milanit e dha njoftimin në faqen zyrtare ku shkruhej:

“Futbollisti Andrea Konti, pasi iu nënshtrua analizave instrumentale dhe klinike, u diagnostikua me një këputje të ligamentit të përparmë të gjurit të majtë. Mbrojtësi kuqezi do t’i nënshtrohet mëngjesin e të shtunës ndërhyrjes kirurgjikale me artroskopi për të rindërtuar ligamentin e këputur. Ky operacion do të kryhet nga profesor Herbert Shënhuber. Koha e riaftësimit vlerësohet rreth gjashtë muaj”.

Komentoni