Rajoni

Mesazhi për Ballkanin: Gjermaninë e keni në krah – Ndryshimin e bëni ju

“Gjermaninë e keni në krah, por ndryshimin duhet ta bëni ju”.

Drejtori për Europën Jug-Lindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellbach, i tha “Deutsche Welle”-s se qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor presin me të drejtë një përmirësim konkret të kushteve të tyre të jetesës përmes procesit të përafrimit me Bashkimin Europian.

Një ndër çështjet thelbësore të Procesit të Berlinit, sipas tij, është të ofrojë mbështetje në këtë kontekst. Intensifikimi i bashkëpunimit politik dhe atij ekonomik në rajon i ka dhënë një dinamikë të re përafrimit me bllokun dhe do të sjellë rritje të mirëqenies për popullsinë. Zyrtari i lartë gjerman vëren se në sektorët e zhvillimit të infrastrukturës, tregtisë, shkëmbimeve rinore dhe bashkëpunimit shkencor është arritur progres i rëndësishëm, transmeton TCH.

Ne jemi të gatshëm të japim më shumë mbështetje, thotë ai. Ministri i Jashtëm Federal, Sigmar Gabriel, bëri të ditur në maj intensifikimin e angazhimit gjerman. Por, ne mund vetëm të mbështesim, shton Hellbach. Transformimi i shtetit, shoqërisë dhe ekonomisë, që është parakusht për përafrimin me BE-në dhe njëkohësisht edhe për më shumë mirëqenie, duhet të realizohet nga politika shqiptare. Për këtë qëllim, nevojiten reforma të qëndrueshme, të realizuara me seriozitet, ku një vlerë veçanërisht të konsiderueshme kanë konsolidimi i shtetit ligjor, qeverisja e mirë dhe lufta kundër korrupsionit.

Shpresat në Berlin, nga sa shpjegon Hellbach, janë që qytetarët të ndjejnë një progres konkret edhe në këto aspekte. Kriteret për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit janë të njohura, sqaron ai. Tani është në dorën e Shqipërisë që të arrijë progresin e kërkuar në 5 prioritetet kyçe.

Komentoni