Rajoni

Mes debatit e protestave Shqipëria kalon ligjin për asgjësimin e mbetjeve të Evropës

Me 63 vota pro dhe 27 kundër, ligji për mbetjet kaloi në Parlament pas një seance afërsisht 12-orëshe. Kuvendi ka miratuar edhe amendamentin e deputetit të LSI-së, Petrit Vasili, për monitorim të këtyre mbetjeve në pikat doganore nga shoqëria civile.

Nga mazhoranca kanë votuar kundër 3 deputetë, ndërsa grupi i PDIU-së nuk ka qenë i pranishëm në sallë në momentin e votimit.

Kryeministri Edi Rama, duke folur në Parlament u ka kërkuar deputetëve të kalojnë këtë ligj, duke siguruar se ligji nuk ka hapësira për djegie apo varrosje të mbetjeve brenda territorit shqiptar, siç ishte më parë, raporton TCH.

“BE nuk do të financonte me paratë e taksapaguesve të vet një laborator të standardeve më të fundit për këtë punë. Ju mendoni se BE do të financonte një laborator për marrëzitë që thoni ju këtu?! Asnjë vend i rajonit nuk e ka të lidhur importin e këtyre mbetjeve të gjelbra me licencën dhe infrastrukturën. Në ato vende mund të marrësh një licencë dhe të bësh këtë për t’i shërbyer industrisë dhe këtu nuk e bën dot. Këtu, nëse ke fabrikën të licencuar nga BE, mund të marrësh licencën që fabrika të realizojë të gjithë orët e punës së përcaktuar”, u shpreh Rama.

Ndërsa opozita e konsideroi si një ligj të mafisë.

“Edhe LSI me amendamentin që ju ka bërë shpreh mosbesimin që ka tek kjo Qeveri për të kontrolluar importin e mbetjeve”, tha Paloka.

Gjatë të gjithë zhvillimit të kësaj seance, përballë godinës së Parlamentit, shoqëria civile ka protestuar duke bllokuar edhe rrugën me kazanë mbeturinash. Për pak minuta në mesditë, ata u përplasen edhe me policinë.

Ata e vazhduan protestën e tyre edhe pas miratimit të këtij ligji nga Parlamenti. Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, importi nga jashtë i mbetjeve urbane do të ndotë edhe më tepër vendin.

Komentoni