Lajme

Menaxhmenti serb në veri: Nuk e pranojmë Ligjin për Trepçën

Strukturat udhëheqëse të Trepçës në pjesën veriore të Mitrovicës thonë se miratimi i Ligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës, është i pavlefshëm dhe se nuk do ta zbatojnë.

Gjatë një konference për media, menaxhmenti serb në veri i kombinatit Trepça ka theksuar se “çdo vendim në lidhje me statusin ligjor të Trepçës pa marrëveshje edhe me serbët konsiderohet i pavlerë dhe i parealizueshme në territorin e katër komunave në veri të Kosovës.

“Me këtë vendim është dërguar porosia më e keqe e mundshme për palën serbe, thjesht se ata nuk ekzistojnë. Pavarësisht kësaj, do të provojmë që të vazhdojmë me punë dhe prodhim në këtë fabrikë deri te dalja nga kjo situatë e vështirë e imponuar”, ka thënë udhëheqësi serb në veri i kombinatit Trepça, Jovan Dimkiq.

Ndryshe, mijëra qytetarë serb të komunave të veriut të Kosovës kishin protestuar gjatë ditës së djeshme kundër projektligjit për Trepçën.

Në protestën e mbajtur në rrugën Mitrovicë – Leposaviq, kishin marrë pjesë kryetarët e katër komunave veriore të vendit, Mitrovicës së veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ministra serb të Qeverisë së Kosovës, të cilët vijnë nga radhët e Listës Serbe, dhe zyrtarë të qeverisë së Serbisë.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas mesnatës së të premtes, Ligjin për Trepçën, me të cilin, siç thanë deputetët, gjiganti ekonomik do të rimëkëmbet dhe do të rikthehet në treg.

Me 79 vota për, asnjë kundër dhe 14 abstenime, deputetët e kaluan Ligjin e plotësuar, i cili ngjalli kundërshtimet e deputetëve të Listës Serbe, që nuk qëndruan deri në fund të seancës së dytë, në sallë.

1 Comment on Menaxhmenti serb në veri: Nuk e pranojmë Ligjin për Trepçën

  1. Reagimet, përditë më nervoze të nërthojsave (ndërgishtëzave) serbomëdha, kontrabandë edhe brenda strukturave institucionale të lodhura të Kosovës, paralajmërojnë ditë të nxehta dhe me plotë rreziqe, në një të ardhme të afërt.
    Nga reagimet që zakonisht të cilave u vije erë e shovinizmit mesjetarë serbomadh,kujtoj se është e mjaftueshme të veçohen disa nga këto qe po ndodhin së voni, sidomos:
    -Kur ato po përcillen me bllokim të rrugëve, fillimisht në aksin rrugor Mitrovicë-Leposaviç, gjoja në shenjë të kundërshtimit të Ligjit për Trepçën, të proceduar në qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës;
    -Kur ato po përcillen edhe me paralajmërimin e bllokimit të të gjitha vendkalimeve kufitare Kosovë-Serbi, gjoja në shenjë të revoltës, kinse për mos zbardhjen e fateve të të pagjeturve serbë, të zhdukur gjatë luftës kundër pushtuese të cilën u detyruan ta bëjnë shqiptarët në vitet 1998-1999;
    -Kur ato përcillen me kërcënime luftënxitëse nga politika serbomadhe e Beogradit zyrtar, se gjoja do të ndërmerren veprimet e nevojshme për kontrollin e plotë të “pronës” serbe-Trepçës; se do të kërkojnë thirrjen urgjente të KS të OKB. Krejt këto në shenjë të kundërshtimit të zbatimit të Ligjit për Trepçën, të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës. Sepse, ky Ligj gjoja na qenka rrezik serioz për pronat e “ligjshme” të Serbisë në Veriun e Kosovës; se në KS të OKB do të parashtrohen jo vetëm “shkeljet” e Rezolutës 1244, nga shqiptarët e Kosovës, por edhe rrezikimi i popullatës serbe në trojet e “saj” në Kosovë, kinse nga terrori që ushtrojnë shqiptarët në vazhdimësi ndaj këtij minoriteti…
    Padyshim, të gjitha këto veprime jo vetëm provokuese, por tejet agresive të politikës serbomadhe, të orkestruara nga Beogradi zyrtar, jo edhe pa mbështetje nga aleatët tradicional të tij, lakuriqësojnë një të vërtetë ogurzezë, jo vetëm për popujt e Ballkanit, por edhe më gjerë. Sepse këto veprime histerike dëshmojnë, se mendësia zyrtare politike, shtetërore dhe kishtare kinse ortodokse “Shën” savjane, ka mbetur po ajo famëkeqja-ajo memorandumeve të epokës së çetnikizmit fashist millosheviqist. Siç dihet, ky Memorandum prodhoi veprimet ( si të ashtu quajturat “dogodio se narod”, “jogurt revolucija”, “anti birokratska revolucija”, “ balvan revolucija”…etj) e që të gjitha këto rezultuan me lumenj lotësh dhe të gjakut kroat, boshnjak dhe shqiptar. Natyrisht edhe të atij serb, por në përmasa shumë më të vogla !
    Këto zhvillime me imponojnë drojën, se gjendemi përball shumë rreziqeve reale dhe me pasoja të pa parashikueshme.
    Këto zhvillime me plotë rreziqe që po ndodhin kohëve të fundit, pashmangshëm tek njerëzit e arsyeshëm imponojnë pyetjen: Çfarë janë reagimet e institucioneve shqiptare, të mandatuara me verdiktin e votës së lirë, për të qenë sa më të përgatitur për t’u përballur me sa më pak pësime me rreziqet reale, në një të ardhme të afërt, të cilës do shkallë të rrezikshmërisë qofshin ato?
    Kujtoje se përgjigja më qëndrueshme në këtë pyetje, do të ishte ajo përgjigja e famshme e Fishtës, ndaj pyetjes së ngjashme (e modifikuar): Ne shqiptarët vazhdojmë hamë “fiq e kastraveca”, pa u brengosur çfarë po ndodhë në fqinjësi!

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*