Lajme

“Me dasht’ me dasht’ me dasht” sonte në DokuFest

Sot në Kino Plato dhe nesër në Kino n’Lum, duke filluar nga ora 22:00, dashamirët e filmit do të kenë mundësinë ta shohin filmin “Me dasht’ me dasht’ me dasht”.

Filmi dokumentar ka patur premierën botërore të hënën, më 7 gusht në Dokufest ku është pritur me ngrohtësi dhe entuziazëm shumë të madh nga publiku kosovar dhe i huaj.

“Me dasht’ me dasht’ me dasht’“ është rezultat i një pune gati 3 vjeçare të regjisorit Ilir Hasanaj dhe e ekipit të tij të filmit. Ai është incizuar në kuadër të projektit të performancës artistike “Baushtellë: Balkan Temple”, i cili ka kulmuar në verën e vitit 2015 në Prishtinë, Beograd dhe Cyrih.

Filmi është dokumentim i jetës së tre personave: një çift i ndarë rishtas (Arbri dhe Edona) të cilët përpiqen të gjejnë mënyrën për të punuar dhe jetuar bashkë brenda projektit „Baushtellë: Balkan Temple“, në mes të 30 artistëve që udhëtojnë nëpër 3 shtete dhe një adoleshent i humbur në mendimet e tij (Genci) që është i zhgënjyer nga jeta.

Pas filmit, shikuesit do ta kenë mundësinë që t’i shtrojnë pyetje regjisorit – Ilir Hasanaj, montazheres – Isabella Kohl dhe producentes – Rina Kika.

Filmi në edicionin e sivjetëm të Dokufestit është nominuar në garën e filmit më të mirë dokumentar të Ballkanit.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*