Lajme

Mbyllet konkursi në UP 2017/2018

Është mbyllur konkursi për pranim të studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës (UP).

Për rreth tetë mijë vende në 13 njësitë akademike të UP’së kanë aplikuar mbi 14 mijë të rinj. Në disa fakultete për një vend kanë aplikuar tetë kandidatë.

Provimet pranuese në UP do të mbahen më 19, 20 dhe 21 korrik.

Bleonda Mehmeti nga Ferizaj ka dorëzuar dokumentet në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, duke pretenduar të jetë një nga 230 studentët sa ka paraparë kjo njësi akademike të pranojë në këtë vit akademik.

Ajo tregon se këtë përzgjedhje e ka bërë pasi dëshira e saj është të punojë në edukimin e fëmijëve. “Kam përzgjedhur drejtimin fillor për shkak se më pëlqen si drejtim, por ka edhe një të ardhme më të sigurt, edhe se kam dëshirë të merrem me edukimin e fëmijëve, të brezave të rinj”.

Interesimi më i madh i të rinjve për të studiuar në këtë vit është Fakulteti i Edukimit në Universitetin “Hasan Prishtina”. Për një vend të studimeve në këtë njësi akademike kanë aplikuar tetë kandidatë, gjegjësisht për 230 vende në tri programe: atë Fillor, Parashkollor dhe Pedagogji e Përgjithshme kanë aplikuar mbi 1 800 kandidatë.

Në këtë njësi akademike këtë vit akademik është zvogëluar numri për pranimin e studentëve të rinj për 40 për qind.

Drejtuesit e Fakultetit të Edukimit thonë se e tërë kjo lidhet me cilësinë.

Numri i përgjithshëm për studentët e rinj në 13 njësitë akademike këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, ka zvogëlim të numrit të përgjithshëm prej 9 përqindësh për shkak të hapësirës infrastrukturore dhe kadrovike.

“Infrastruktura e UP’së nuk është duke u rritur shumë, ndërsa numri i aplikantëve ka pasur rritje të vazhdueshme në vitet e kaluara, prandaj kemi synuar që nëpërmjet zvogëlimit të numrit të studentëve t’i krijojmë mundësi më të mëdha studentëve që të arrijnë rezultate më të mira dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë për ngritjen e cilësisë së studimeve”.

Provimet pranuese në Universitetin Publik të Prishtinës do të mbahen më 19, 20 dhe 21 korrik.Rezultatet pritet të shpallen më 22 korrik.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*