Mbyllen vendvotimet në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar procesi i votimit në zgjedhjet presidenciale, në të cilat të drejtë vote kishin mbi 1.8 milion qytetarë.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në orën 19:00 u mbyllën vendvotimet. Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, deri në orën 17:00 votuan 44.18 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

KSHZ-së më vonë pritet të dalë me të dhënat mbi daljen e përgjithshme të votuesve në nivel të shtetit.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor deri në orën 18:00, kur janë publikuar të dhënat e fundit, është zhvilluar në mënyrë të rregullt në të gjitha vendvotimet.

Por, koalicioni VLEN që përbëhet nga partitë e opozitës shqiptare ka denoncuar parregullsi në disa vendvotime në komunës së Likovës, në rajonin e Kumanovës.

Nga kjo parti kanë akuzuar për “vjedhje votash dhe mbushje të kutive”.

Orhan Murtezani, zëdhënës i shtabit zgjedhor, pretendoi se personat e përfshirë në këto “vjedhje votash” janë anëtar të Frontit Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

KSHZ-ja nuk ka konfirmuar këtë pretendim të opozitës shqiptare, sikur edhe Ministria e Punëve të Brendshme e cila paraprakisht procesin zgjedhor e kishte vlerësuar të rregullt dhe pa incidente.

Një grua duke votuar në një vendvotim në një shkollë në Shkup, Maqedoni e Veriut.
Një grua duke votuar në një vendvotim në një shkollë në Shkup, Maqedoni e Veriut.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kishin 1.814.317 votues.

Në garën për kreun e shtetit kanë garuar shtatë kandidatë, në mesin e të cilëve edhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili ishte propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM).

Opozita maqedonase, që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja, në zgjedhje mori pjesë me Gordana Siljanovska-Davkovën, e cila garoi edhe në zgjedhjet e vitit 2019.

Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garoi me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme.

Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, mori pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit.

Pjesë e garës zgjedhore ishin edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.

Rezultatet e para nga votimet do të nisin të publikohen nga faqen e internetit të KSZH-së pas mbylljes se vendvotimeve në orën 19.00

Një fëmijë duke pritur ndërsa një grua voton gjatë zgjedhjeve presidenciale në Shkup, Maqedoni e Veriut, 24 prill 2024.
Një fëmijë duke pritur ndërsa një grua voton gjatë zgjedhjeve presidenciale në Shkup, Maqedoni e Veriut, 24 prill 2024.

Pritjet e qytetarëve nga presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut

Qytetarë të Maqedonisë së Veriut të cilët ekipi i Radios Evropa e Lirë i takoi në qendrat e votimit të mërkurën, thanë se cilido prej shtatë kandidatëve që zgjidhet, presin që me autoritetin e tij të ndikojë në zhbllokimin e procesit integrues, në luftimin e korrupsionit dhe të ndalë hovin e largimit të të rinjve nga vendi.

Teksa votuan për të zgjedhur presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut, ata kërkuan po ashtu rritjen e cilësisë në arsim, në mënyrë që gjeneratat e reja me dijen e tyre të kontribuojnë për zhvillimin e vendit.

Velika Minovska, pensioniste nga komuna e Çairit në Shkup, e cila votoi bashkë me bashkëshortin e saj, tha për Radion Evropa e Lirë se me rëndësi të veçantë për të është që shteti të ecë para dhe të krijohen kushte për një jetë me dinjitet edhe për më të moshuarit.

“Po, votova me shpresë se do të bëhet më mirë, atë presim se do të vijnë ditë më të mira. Shpresojmë që vendi të ecë para dhe të ketë perspektivë për qytetarët. Një jetë me dinjitet edhe për ne më të moshuarit”, tha Velika Minovska.

Disa qytetarë kontrollojnë listën e votuesve gjatë zgjedhjeve presidenciale, në Shkup, Maqedonia e Veriut, 24 prill 2024.
Disa qytetarë kontrollojnë listën e votuesve gjatë zgjedhjeve presidenciale, në Shkup, Maqedonia e Veriut, 24 prill 2024.

Edhe Sunaj Iljazi rreth të 30-tave tha se nga zgjedhjet presidenciale pret që Maqedonia e Veriut t’i përshpejtojë hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke mundësuar një standard më të mirë për gjenerata e reja.

“Të ketë më shumë punësime për të rinjtë. Të jemi një shtet që i ka institucionet me rregull, të besueshme”, tha ai.

Edhe Behar Memishi pohoi se nga presidenti i shtetit pret që me autoritetin e tij të ndikojë në zhbllokimin e procesit të integrimeve për Maqedoninë e Veriut:

“Presim të zhbllokohet procesi (i integrimeve), këtë kërkesë kemi nga ai (presidenti i ri i shtetit)”.

Ndërkaq, Zllatko Ardirovski tha se nga presidenti i ri pret që të ndikojë në shtytjen para sa i përket luftës kundër korrupsionit.

“Pres që (presidenti i ri) të bëjë më shumë në zgjidhjen e problemit me korrupsionin në nivele të larta, të insistojë në krijimin e kushteve që të rinjtë të mbeten në Maqedoni (të Veriut) përmes ngritjes së cilësisë së arsimit. Kjo është ajo që pres nga presidenti i shtetit, i cili do të zgjidhet”, theksoi Zllatko Argirovski nga komuna Qendër e Shkupit.

Një burrë duke mbushur fletën e votimit në një vendvotim në Shkup.
Një burrë duke mbushur fletën e votimit në një vendvotim në Shkup.

Kandidatët për president

Në garë janë presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili është propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM).

Opozita maqedonase, që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja, në zgjedhje merr pjesë me Gordana Siljanovska Davkovën, e cila garoi edhe në zgjedhjet e vitit 2019.

Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë.

Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme.

Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, merr pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit.

Pjesë e garës zgjedhore janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.

Sipas dispozitave ligjore, në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat/e duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore, apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve.

Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më së shumti vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit.

Në të gjitha zgjedhjet presidenciale të deritanishme është siguruar censusi prej të paktën 40 për qind.

Fushata elektorale ka zgjatur 20 ditë dhe është përcjellë me akuza të shumta mes kandidatëve.

Rezultatet e para pritet të publikohen pas mbylljes së kutive të votimit në orën 19.00.

Ato, sikurse edhe në ciklet e kaluara zgjedhore, fillimisht do të publikohen nga shtabet e kandidatëve ndërsa KSHZ-ja do t’i publikojë më së voni deri nga mesnata e 24 prillit.

Po ashtu, kandidatët për president kanë nënshkruar edhe një kod për zgjedhje të drejta dhe demokratike, dhe për përmbajtje nga etiketimet dhe gjuha e urrejtjes.

Temat që kanë dominuar fushatën kryesisht kishin të bënin me integrimet evropiane, ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjendjen në gjyqësor dhe ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut dhe rajon.

Këto zgjedhje njëherësh vlerësohen si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë do të jetë test për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahem më 8 maj, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Vëzhgimi i procesit zgjedhor

Zgjedhjet presidenciale po monitorohen nga 342 vëzhgues vendas, 517 vëzhgues të huaj si dhe 32 media ndërkombëtare.

“Këtë mëngjes, unë pata mundësinë të vizitoj dy qendra votimi dhe ka qenë një fillim i mbarë i ditës dhe siç e dini këto janë vetëm dy nga shumë qendra votimi në gjithë vendin. Në fund të ditës do të mbledhim informacion dhe do të tregojmë se si ka vazhduar procesi zgjedhor. Ne kemi më shumë se 200 vëzhgues të shpërndarë në të gjithë vendin. Të enjten do të mbajmë një konferencë për mediat ku do të japim deklarata për procesin zgjedhor”, ka deklaruar shefja e misionit të OSBE-së, Jillian Stirk.

Një vendvotim në Shkup në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Një vendvotim në Shkup në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Ndërsa, ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, përmes një mesazhi në rrjetet sociale ka ftuar qytetarët që të votojnë për kandidatin që, sipas saj, reflekton pritshmërinë e tyre për të ardhmen e vendit.

“Ata duhet të dalin atje dhe të zgjedhin kandidatin që reflekton ëndrrat e tyre për të ardhmen. Dilni në votime pasi asgjë nuk do të arrihet duke mos votuar”, ka shkruar Ageler në Facebook.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria e Maqedonisë së Veriut, gjithashtu, do të mbikëqyrin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

MPB-ja nuk ka bërë të ditur numrin e policëve të angazhuar në qendrat e votimit, por nga ky dikaster më herët kanë thënë se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rrjedhës së procesit në pjesën perëndimore të vendit.

Go to TOP