Lajmet

Mbi 60 milionë euro të arkëtuara nga Përmbaruesit Privat i janë kthyer buxhetit

Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha, shqyrtoi një raport për punën, aktivitetet, trajtimin e lëndëve, dhe shumën e mjeteve të arkëtuara nga Përmbaruesit Privat.

Ministrja Hoxha, vlerësoi lartë punën e bërë nga përmbaruesit privat, me ç ‘rast që nga viti 2014 kur sistemi i përmbarimit privat ka filluar së funksionuari, Ministria e Drejtësisë ka emëruar mbi 20 përmbarues të cilët kryejnë me efikasitet dhe përgjegjësi punën e tyre në tërë vendin.

Në raport, Ministrja Hoxha kishte vlerësimin financiar të punës së bërë nga Përmbaruesit Privat dhe për dy vite që nga themelimi, përmbaruesit privat kanë arkëtuar mbi 60 milionë euro të hyra të cilat i janë kthyer Republikës së Kosovës. Përkushtimi i Ministrisë së Drejtësisë për të ndihmuar këtë segment dhe përkrahja e deritanishme vërehet më së miri me mjetet e arkëtuara, ku nga 1 Janari deri me 1 Gusht 2016 janë mbledhur mbi 22 milionë euro.

Ministrja Hoxha, theksoi se puna e bërë nga përmbaruesit privat ka marrë vlerësim maksimal edhe nga institucionet bankare. Në raportet e Bankës Botërore për të bërit biznes sistemi i përmbarimit është vlerësuar si indikator kyç në rritjen e të hyrave, po ashtu në raportet e Bankës Qendrore të Kosovës, sistemi i përmbarimit ka rezultuar me uljen e kamatave si dhe ndihmën që u është dhënë institucioneve financiare, ku tanimë bankat komerciale kanë më pak vonesa me proceset gjyqësore me procedurë përmbarimore.

Ministrja Hoxha, theksoi përkushtimin dhe vendosmërinë e saj për të ndihmuar dhe përkrahur përmbaruesit në punën e tyre, punë kjo e cila ndikon në lehtësimin e procedurave për qytetarët dhe ekzekutimin e lëndëve nëpër gjykata. /KI/

Komentoni