KosovaToplajm

Mbi 110 pjesëmarrës në debatin për demarkacion

Një numër i madh i pjesëmarrësve pritet të marrë pjesë në debatin shkencor për demarkacionin me Malin e Zi.

Mbi 110 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë, ekspertë të fushës, profesorë, e përfaqësues të organizatave joqeveritare, do të jenë pjesë e kësaj tryeze, e cila organizohet me iniciativën e deputetit të LDK-së, Shpejtim Bulliqi e me vendim të Kryesisë së Kuvendit.

Salla alternative e Kuvendit të Kosovës do të jetë vendi ku do të ballafaqohen argumentet pro dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Tashmë gjithçka është në përfundim e sipër të përgatitjeve për tryezën që do të ketë më shumë karakter shkencor, por përveç ekspertëve të fushës, do të ketë edhe deputetë të pranishëm. Agjenda zyrtare ende nuk dihet plotësisht, megjithatë, Radio Kosova merr vesh se në këtë tryezë do të marrë pjesë edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, ndërsa pritet të jenë mbi 110 pjesëmarrës, duke përfshi deputetët, ekspertët, profesorët e ndryshëm dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare.

Nga Komisioni Shtetëror për Demarkacionin, i cili ishte mandatuar nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar, do të marrin pjesë 5 anëtarët e këtij komisioni: Murat Meha, Sylë Ukshini, Besim Kajtazi, Tefik Basha dhe Shaban Guda. Ata do të ballafaqojnë faktet dhe argumentet me ekspertët të cilët janë propozuar nga deputeti Shpejtim Bulliqi: Zejnullah Gruda, Enver Hasani, Florim Isufi, Përparim Ahmeti, Bashkim Idrizi e Hakif Bajrami.

Dymbëdhjetë pjesëmarrës në këtë tryezë do të jenë nga Vetëvendosje, ku hyjnë ekspertët e tyre dhe disa deputetë, AAK-ja do t’i ketë 14 ekspertë dhe deputetë, ndërsa Nisma do të marrë pjesë me 5 deputetë. PDK e LDK ende nuk e kanë konfirmuar numrin e deputetëve pjesëmarrës.

Po ashtu bëhet e ditur se pjesëmarrjen në këtë tryezë e kanë konfirmuar tashmë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë.

Grupi për studime politike e juridike, Organizata FOL, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Instituti Demokratik i Kosovës-KDI dhe Grupi për Politika Ballkanike do të jenë pjesë e tryezës për të monitoruar argumentet pro e kundër demarkacionit.

Radio Kosova merr vesh se në fillim të debatit, fjalë rasti do të mbajnë kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ndërsa debatin që pritet të zgjas disa orë, do ta udhëheq gazetari Baton Haxhiu. 

Komentoni