Ekonomi

Marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë duhet të intensifikohen

Konsullja e Republikës së Turqisë në Prizren, znj. Selen Evcit,  priti në një takim pune një delegacion të Bordit të Drejtorëve dhe stafit të Odës Tregtare Kosovaro Turke, të udhëhequr nga Kryetari Ayhan Albeyoglu.

Në këtë takim njoftues, konsullja u njoftua me strukturat e reja udhëheqëse të Odës, të zgjedhura nga Kuvendi i Anëtarëve gjatë kësaj vere. Kryetari Albeyoglu shpalosi para konsulles edhe planin dhe programin e aktiviteteve të Odës gjatë këtij viti, duke u fokusuar në dy ngjarje të cilat do të organizohen në Turqi gjatë muajit tetor, e të cilat do të përkrahen nga Oda Tregtare Kosovaro Turke – organizimi i Ditës Kombëtare të Kosovës në pavijonin e Antalya Expo 2016 dhe organizimi i Forumit të Biznesit Turqi – Kosovë, në Stamboll.

Në anën tjetër, znj. Evcit, tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë janë aktive dhe intensive, gjë që është dëshmuar edhe gjatë mandatit të saj në Prizren. Konsullja Evcit u shpreh e lumtur me vizitën nga OTKT duke theksuar rëndësinë e bashkëbisedimeve më të shpeshta për avancimin e ekonomisë dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme për zhvillim në vend.

Në përmbyllje, bashkëfolësit u pajtuan se marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë duhet të intensifikohen edhe më tej, për ta ndjekur hapin e marrëdhënieve shoqërore e familjare mes dy vendeve, duke u zotuar për angazhim dhe bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen në këtë drejtim. /KI/

Komentoni