Rajoni

Maqedoni: Vullneti politik i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit

“Korrupsioni paraqet kancer për çdo shoqëri andaj edhe strukturat udhëheqëse të shtetit duhet ta vendosin në krye të prioriteteve çrrënjosjen e kësaj dukurie”, u tha në konferencën e sotme “Përballja me korrupsionin dhe shteti i robëruar në Evropën Juglindore” organizuar nga Qendra e Maqedonisë për Bashkëpunim ndërkombëtar dhe rrjeti rajonal për Udhëheqësi dhe zhvillimin për integrim në Evropë.

“Ajo që nuk arrijmë ta vërejmë këtu në Maqedoni është aktiviteti politik për të zvogëluar korrupsionin. Nëse analizoni punën e shoqërisë civilë do të vëreni përpjeke të mëdha nga ana e tyre për të detyruar institucionet e shtetit që të jenë më të hapua dhe transparente ndaj opinionit. Por, e gjithë kjo përpjekje duhet ngritur dhe në nivelin politik. Ka shumë pak aktivitet politik sa i përket angazhimit për të luftuar korrupsionin”, ka theksuar Rusllan Stefanov nga rrjeti rajonal.

Përderisa zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi Aleksandar Arvizu, tha se element shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit paraqet përgjegjësia që duhet të japin udhëheqësit shtetëror për çdo veprim të tyrin gjatë qeverisjes.

“ShBA dhe faktori ndërkombëtar mbështet vendimin e katër partive politike kryesore për formimin e Prokurorisë Speciale Publike e cila duhet të hetojë aktivitet kriminale. Aftësia e këtij Institucioni që të hetojë dhe procedojë rastet që kanë të bëjnë me korrupsion në mënyrë të pavarur paraqesin një hap të rëndësishëm përpara për Maqedoninë dhe njëherësh siguron qytetarët se Qeveria duhet të përgjigjet për të gjitha veprimet gjatë punës së saj. Inkurajojmë të gjitha partitë politike që ta përkrahin punën e Prokurorisë Speciale Publike”, tha Aleksandar Arvizu.

Ndërkaq raportuesi special i Parlamentit Evropian për Maqedoninë Ivo Vajgëll tha se nevojitet vullnet politik nga ana e të gjitha partive politike që të përballen me korrupsionin. Madje disa parti politike do të duhet të fillojnë me pastrimin e oborreve të tyre në angazhimin për të luftuar korrupsionin.

Përderisa Prokurorja Speciale Publike Katica Janeva, e cila tha se të gjitha se koston e lartë të pranisë së korrupsionit në shtet e paguajnë qytetarët andaj të gjitha institucionet shtetërore duhet të reagojnë shpejt dhe pamëshirshëm për të çrrënjosur këtë dukuri.

Ndërkaq Osman Kadriu njohës i çështjeve juridike për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia si shtet e ka shansin e fundit që përmes Prokurorisë Speciale Publike të çlirohet nga prangat e korrupsionit që kanë bllokuar çdo pore të shtetit përmes Prokurorisë Speciale Publike, e që për fat të keq siç thotë ai bllokohet nga gjyqësia e Maqedonisë.

“Prokuroria Speciale Publike përfaqëson një organ të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Por, kompetencat e këtij institucioni janë të njohura përkatësisht kompetencat e Prokurorisë Speciale përfundojnë me ngritjen e aktakuzave të ngritura në gjykata, pra gjykatat paraqesin organ shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit i cili është kompetent dhe përgjegjës për të zbërthyer këto akt akuza të ngritura nga Prokuroria Speciale”.

“Për fat të keq me këtë strukturë që kemi në gjyqësor përkatësisht me këtë pozitë të sistemit gjyqësorë në Maqedoni, i cili është i partizuar, komprometuar, madje edhe vetë i futur në korrupsion, një pjesë e madhe e gjykatësve, vështirë se mund të jetë e suksesshme kjo luftë, aq më pak të shërohet nga kjo sëmundje kancerogjene që ka kapluar çdo pore të shoqërisë”, thotë Osman Kadriu njohës i çështjeve politike.

Ndryshe hulumtimet e rrjetit rajonal Udhëheqësja për zhvillim dhe integrim në Evropën Juglindore (SELDI) kanë nxjerrë në pah se korrupsioni në Maqedoni ka shënuar rritje prej 5 përqind nga viti 2014 deri në vitin 2016 dhe se qytetarët në vend gjithnjë e më pak besojnë në masat që po ndërmerr shteti për të luftuar këtë dukuri. /rel/

Komentoni