Ekonomi

Malishevë: Dështon miratimi i buxhetit për vitin 2017

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës nuk e kanë votuar propozim-buxhetin për vitin 2017, përkatësisht kornizën afatmesme buxhetore 2017-2019. Shumica e thjeshtë e këshilltarëve kanë votuar kundër miratimit të kësaj politike të rëndësishme publike, shkruan sot Koha Ditore.

“Lidhur me propozim-buxhetin për vitin 2017, 16 këshilltarë kanë votuar kundër dhe 14 të tjerë kanë votuar për”, ka thënë zyrtari komunal i informimit, Artan Paçarizi.

Diskutimet rreth propozim-buxhetit kanë qenë të gjata. Madje dokumenti i njëjtë qe shqyrtuar edhe në mbledhjen e KK-së të mbajtur të mërkurën. Këshilltarët opozitarë kanë cilësuar se ky propozim buxhet është hartuar për efekte elektorale, pa specifikim të duhur të projekteve, pa respektimin e parimit të gjithëpërfshirjes, e kështu me radhë.

Zyrtari i Paçarizi ka theksuar se në këto rrethana ekziston mundësia ligjore për ta konvokuar edhe një mbledhje tjetër të KK-së, për ta shqyrtuar propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm. 

Qarkorja buxhetore 2017/02 e MF-së përcakton se pas aprovimit të buxhetit për periudhën 2017-2019 nga Kuvendet Komunale, “komunat duhet ta dorëzojnë atë në Departamentin e buxhetit në MF deri më 30 shtator 2016”.

Komentoni