Kosova

Mali i Zi i shqetësuar për mos-ratifikim e demarkacionit nga Kosova

Dushko Markoviq, zëvendëskryeministër i Malit të Zi, ka theksuar se marrëveshja kufitare e nënshkruar mes vendeve, duhet të respektohet pa vonesa të mëtejshme nga Kuvendi i Kosovës.

Dushko Markoviq, i ka bërë thirrje Kosovës që të përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes për demarkacionin kufitar pa vonesa të mëtejshme.

Në një deklaratë për BIRN, Markoviq shprehu shqetësimin e tij, se ndërsa Parlamenti i Malit të Zi e kishte ratifikuar marrëveshjen që në fund të vitit të shkuar, Kosova ende nuk kishte zbatuar pjesën e saj siç palët ishin dakordësuar.

“Demarkacioni ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës u plotësua përmes nënshkrimit të marrëveshjes, dhe disa kërkesa për rishikimin e saj janë absolutisht të pabaza dhe të papranueshme, marrë parasysh faktin që dy vendet tona nuk kanë as edhe një kundërshti të vetme për çështje kufitare”, ka theksuar Markoviq për BIRN.

Kuvendi i Kosovës ka caktuar datën 3 gusht që të mbajë një diskutim për marrëveshjen e demarkacionit, pas kërkesës së nënshkruar nga disa deputetë, duke shënuar pothuajse një vit nga nënshkrimi i saj më 26 gusht të vitit të kaluar në Vjenë.

Partitë opozitare kosovare dhe banorë të zonës kufitare me Malin e Zi thonë se marrëveshja i rrëmben Kosovës mijëra hektarë, ndërsa ka pasur edhe deputetë nga radhët e LDK-së të koalicionit qeverisës që e kanë kritikuar procesin, duke thënë se diskutime të hapura duhen mbajtur para ratifikimit të marrëveshjes.

Në disa raste, protesta të dhunshme janë mbajtur nga opozita, duke kërkuar që marrëveshja të rishikohet, ndërsa Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të mundohet ta ndalë me çdo mënyrë miratimin e saj në Kuvend.

Por, Markoviq  ka deklaruar se kufiri i mëparshëm administrativ është riafirmuar dhe është në pajtim me qëndrimin e Komitetit Ndërkombëtar të Arbitrazhit për kufijtë (International Badinter Arbitration Committee), dhe se një komision me ekspertë ndërkombëtarë gjithashtu kishte dhënë aprovimin.

“Dua të vë në dukje se nuk është marrë asnjë milimetër i tokës së dikujt tjetër, [dhe] në anën tjetër, disa marrëveshje janë nënshkruar për të lejuar përdorimin e papenguar të pasurive të patundshme që mbesin nga ana tjetër e vijës kufitare, lehtësimin e jetës së përditshme dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e dy vendeve tona që jetojnë në zonën kufitare”, ka theksuar ai.

Qeveria e Kosovës është nën presion të fortë ndërkombëtar që ta miratojë marrëveshjen dhe ta dërgojë në Kuvend për ratifikim sa më shpejt, para pushimeve të muajit gusht.

Në maj të këtij viti, Bashkimi Evropian kërkoi nga Kosova – i vetmi vend në Ballkan që ende nuk është pjesë e regjimit pa viza në BE – që të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit si kusht për liberalizmin e vizave.

Në pjesën e parë të korrikut, Ndihmës-sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, bëri thirrje për ratifikim të shpejtë të marrëveshjes, duke nënvlerësuar natyrën e debatit mbi këtë çështje.

“Debati në Kuvend mbi këtë çështje është relativisht artificial”, tha Nuland për transmetuesin publik, RTK.

Gjithashtu, Presidenti Hashim Thaçi dhe eurodeputetja Tanja Fajon kanë bërë thirrje që marrëveshja të miratohet para pushimeve të Kuvendit në gusht.

Sipas Zëvendës Kryeministrit malazez, ligjet ndërkombëtare dhe vendore, por edhe ekspertët përkatës të Malit të Zi dhe Kosovës, kanë thënë se në procesin e demarkacionit nuk kishte pasur lëshime në dëm të asnjërës palë.

“Nëse marrëveshja ka riafirmuar plotësisht kufijtë e Kosovës të përcaktuara nga kushtetuta dhe Plani i Ahtisaari-t për Kosovën, besoj se Kuvendi [i Kosovës] do të marrë parasysh ekspertizat dhe do ta përfundojë procedurën e demarkacionit”, ka deklaruar Markoviq për BIRN.

Komentoni