Lajme

LVV: RTK është kthyer në ministri të propagandës

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur RTK ministri të propagandës. Duke e cilësuar RTK si ministri të Propagandës, ata kanë kritikuar Xhymret Veliu, i cili ka thënë se intervista me kryetarin e LVV Visar Ymeri do të bëhet kur RTK e vlerëson.

“Pra, nuk ka afat. Nuk ka plan. Nuk ka vullnet. Ka refuzim. Nëse deri sot, Veliu ka thënë se po e shqyrtonte realizimin e kësaj interviste, sot në një komunikimin me aktivisten e zyrës së mediave së Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ka përdorur futbollin si pretekst për mosrealizimin e intervistës. Thuajse është normale që një medium ta pezullojë të gjithë transmetimin, sidomos pjesën politike, për hir të të sektorëve të tjera – sportit”, thotë LVV.

Kjo bisedë është realizuar pasi aktivistja Tinka Kurti e ka thirrur autorin e emisionit “Monitor”, Ngadhnjim Kastratin që t’i propozojë intervistimin e z. Ymeri në atë emision. Pas kësaj, Veliu e ka thirrur znj. Kurti për ta dhënë përgjigjen se nuk po e konsideron njëherë ta bëjë këtë intervistë. Në këtë komunikim skandaloz, Veliu e përmend edhe Korenë e Veriut.

“Është koha që ky shërbyes i pushtetit ta pranojë se Koreja e Veriut dhe mungesa e demokracisë kudo shoqërohet pikë së pari me mohimin e fjalës për opozitën. Me këtë bashkërendim të aktiviteteve me Qeverinë dhe Policinë, kjo ministri e zellshme e Qeverisë, po tenton ta mohojë fjalën e kryetarit të subjektit më të madh opozitar, pikërisht sepse është e vetëdijshme si ai ka shumë material për të thënë në atë intervistë”.

LVV porositi se nuk do të ndalen deri në çlirimin e këtij institucioni. Deri në kthimin e tij, nga ministri e Propagandës në medium publik e në shërbim të qytetarëve ashtu siç është në natyrën e punës së institucionit. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*