Lajme

Luzha: Rrugëtimi i Kosovës për në BE nuk do të jetë i lehtë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në një tryezë në të cilën kanë marrë pjesë pjesëtarë të shumtë të mekanizmave qeveritar dhe joqeveritarë, ka lansuar sot publikimin “Procesi i Berlinit-rruga për në BE, apo rruga për askund”. Po ashtu është diskutuar rreth të gjeturave kryesore.

Besa Luzha, koordinatore e programit në fondacionin gjerman FES është shprehur skeptike, se rrugëtimi i Kosovës për në BE do të jetë i lehtë.

“Momentalisht të gjitha ato mekanizma që kanë qenë për integrime, janë në heshtje. E aq më shumë, kemi zëra që edhe Ministria e integrimit tash do të shuhet dhe do të kalojë si një departament i Ministrisë së punëve të jashtme”, ka thënë Luzha.

“Duke marrë parasysh problemet që po ndodhin në BE, nëse ne nuk jemi aktivë që ta sjellim në agjendë vëmendjen, atëherë me të vërtetë do të mbesim në margjina të këtij procesi”, është shprehur Luzha.

Ndërkaq, Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se BE mund të ketë interesa që bashkëpunimi të përqendrohet në linjën Shqipëri-Serbi.

“Nga ana e BE-së mund të ketë interes që të fokusohet bashkëpunimi më shumë në linjën Shqipëri-Serbi, sepse është më i lehtë. Po kjo mbase mund të bëhet për shkak të një mekanizmi të pranuar të dy liderëve të Serbisë dhe Shqipërisë”, ka thënë Qehaja.

Donika Emini nga QKSS, ka thënë se kanë qenë disa mekanizma nga BE-ja, por edhe ato tashmë janë shtyrë.

Në këtë tryezë diskutimi ka pasur edhe persona të tjerë, përfshirë këtu pjesëtarë të tjerë nga shoqëria civile dhe deputetë të kuvendit. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*