Ekonomi

Lluka premton mbështetje për projektet në Pejë dhe në Istog

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë vizitës në Pejë dhe në Istog kishte disa takime ku u trajtuan çështje me interes për zhvillimin e këtyre komunave.

Gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Pejës, Gzmand Muhaxheri, u shqyrtuan planet dhe projektet s në sektorin e ujit, respektivisht ujësjellësin, trajtimin e ujërave të zeza, grumbullimin dhe menaxhimin me mbeturinat, si dhe për sektorë të tjerë. Theks i veçantë i është dhënë realizimit të projektit për furnizim me ujë të fshatrave të Lugut të Baranit, pastaj gjetjes së zgjidhjeve për fshatrat e Rugovës, duke pasur parasysh se furnizimi me ujë do të ketë ndikim edhe në zhvillimin e turizmit. Njëherit u shqyrtua mundësia për ngritjen e  impiantit për pastrimin e ujërave të zeza.

Ministri Lluka me këtë rast theksoi edhe domosdonë e angazhimit të autoriteteve komunale për zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe evitimin e kyçjeve ilegale në rrjet. Njëherit kërkoi që edhe në këtë komunë të realizohen projekte që ndërlidhen me efiçiencën e energjisë elektrike dhe të atyre të energjisë nga burimet e  ripërtëritshme, posaçërisht përmes paneleve solare.

Në kuadër të kësaj vizite, kreu i MZhE-së vizitoi edhe KRU “Hidro Drini”, ku u prit nga bordi dhe menaxhmenti i kompanisë, me të cilët u fol për planet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet, pasi humbjet e ujit janë shumë të mëdha- rreth 62% të sasisë së ujit të prodhuar, kryesisht për shkak të kyçjeve ilegale, apo edhe rrjedhjeve që janë rezultat i rrjetit të vjetërsuar.

Ministri kërkoi nga menaxhmenti i kompanisë, e cila me ujë furnizon Pejën, Klinën, Istogun, Deçanin e Junikun, që të gjejnë mënyrën për zvogëlimin e humbjeve dhe rritjen e inkasimit, si faktorë kyç që ndikojnë në afarizmin negative të kësaj ndërmarrje publike.

Një takim të veçantë Ministri Lluka pati edhe me kryeshefin e kompanisë së ujërave “Drini i Bardhë” me të cilin u trajtuan problemet që kanë të bëjnë me sigurimin e ujit si për fermerët, ashtu edhe kompanitë e shfrytëzuesit e  tjerë, si edhe për inkasimin, i cili është tejet i ulët.

Në Istog, ministri Lluka u takua me disa nga anëtarët Shoqatës për Prodhimin e Peshkut, të cilët ngritën shqetësimin për mënyrën e faturimit dhe të pagesave që iu ngarkohen për shfrytëzimin e ujit nga kompania “Drini i Bardhë”. Lluka atyre iu premtoj se do të angazhohet në kuadër të përgjegjësive që ka, por edhe në bashkëpunim me institucionet e tjera, në mënyrë që ky problem të zgjidhet në mënyrën më të drejtë dhe në pajtim me ligjin, ashtu që ai të mos jetë problem për zhvillimin e kësaj veprimtarie. /Kosova.info/

Komentoni