Ekonomi

Limaj inkurajon tregtarët të promovojnë prodhimet vendore

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, bashkë me anëtarët e Klubit të Prodhuesve të Kosovës dhe ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, vizitoi sot kompaninë “Meridian Express”, me qëllim të përkrahjes së prodhuesve vendor.

Zëvendëskryeministri Limaj, me këtë rast theksoi se qëllimi i kësaj vizite ishte fuqizimi i ndërtimit të partneritetit mes prodhuesve dhe atyre, të cilët e përcjellin mallin deri te konsumatori.

Duke thënë se Qeveria si partner kryesor, e cila ka prioritet stimulimin e prodhimit vendor, zëvendëskryeministri Limaj shprehu kënaqësinë që kompania “Meridian Express”  po jep një mesazh përmes prodhimeve tona, të cilat janë cilësore dhe meritojnë të jenë aty ku duhet.

“Prodhimet vendore duhet të promovohen, sepse promovimi i prodhimit vendor nënkupton hapje të vendeve të reja të punës, shtim të buxhetit, por mbi të gjitha nënkupton shtimin e fuqisë së konsumatorit për të blerë’, theksoi zëvendëskryeministri Limaj, duke inkurajuar tregtarët që të promovojnë prodhimin e vendit tonë.

Zëvendëskryeministri Limaj tha se Qeveria mbështetë ekonominë e Kosovës, dhe në këtë mënyrë ai siguroi tregtarët dhe prodhuesit që kjo frymë optimiste që ka filluar, do ta ketë mbështetjen e fuqishme të institucioneve.

Përfaqësuesi i kompanisë “Meridian Express”, Agon Gashi, tha se vizioni i kompanisë është të ofrojë përkrahje për prodhuesit vendor. “E vetmja mënyrë për një zhvillim të mëtutjeshëm është nëse ne e përkrahim njëri -tjetrin, nëse ne i japim hapësirë njëri-tjetrit për bashkëpunim, për partneritet afatgjatë, i cili sjellë rezultate pozitive dhe ngritje të standardit të jetesës në Kosovë”, tha Gashi. Ai foli edhe për ngritjen e cilësisë së prodhimeve vendore dhe u zotua se kompania e tij do të jetë e hapur për bashkëpunim me prodhuesit vendor të cilët i plasojnë produktet e tyre në tregun kosovar. /KI/

Komentoni