Lajme

Lidhur me idetë e Krajës dhe të Robelit

Shkruan: Ilmi REXhEPI

Feja dhe karakteristikat e prirjet e shqiptarëve

Ebu Hanifja, themeluesi i drejtimit (medhhebit) të cilit i përkasin shqiptarët myslimanë, ka thënë:

“Ju të Basrës jeni më fetarë, kurse ne jemi më të mençur”

Nëpërmjet kësaj thënieje desha ta shquaj faktin se Ebu Hanifja besonte që njerëzit kanë karakteristika dhe prirje sipas vendeve të tyre. Me fjalë të tjera, besonte se vendet kanë kulturat e veta e të cilat duhen marrë parasysh.

Në karakteristikat e një populli, ndër faktorët e tjerë, ndikon më se shumti faktori historik, përvojat e së kaluarës.

Shqiptarët shquhen për natyrë të çlirët, nuk kanë karakter të mbingarkuar, janë, si të thuash, më të natyrshëm. Kjo i bën më të hapur, më të afërt e më të pranueshëm nga popujt e tjerë. Dikush e quan këtë:”gjeni liberal”.

Sikur që është ruajtur natyra më e parë njerëzore, është ruajtur edhe gjuha shqipe, e cila përbën mrekulli në vete, por e cila rrezikohet sot nga një brez “i lodhur në shpirt”.

Pikërisht pse kultura jonë është e tillë, ka mirëkuptim ndërfetar, mirëkuptim ndërideologjik, vlerë kjo të cilën ka nevojë bota ta marrë prej nesh.

Të jesh fetar nuk i pengon kujt në kulturën shqiptare (edhe shumë nga ata që shprehen kundër fesë, më shumë janë të frustruar e kanë frikë nga pasoja të mundshme sesa që në të vërtetë janë kundër fetaritetit të tjetrit).

Krejt çka duhet të rregullohet është manifestimi publik i fesë, për të cilin duhet të gjendet modeli, sipas të cilit edhe të sigurohet e drejta e manifestimit, por edhe të kushtëzohet që ai të bëhet me kujdesin që të mos ketë efekt anësor çarjen e njësisë shqiptare dhe dëmtimin e vlerave kulturore shqiptare.

Po përzgjedh tri thënie të Ernest Koliqit që janë shumë relevante për këtë këndvështrim:

“Jo tulla të njajta si njana tjetra, por thyeza (tasselli, tasseaux) me ngjyra vezulluese qi përbajnë nji mozaik plot vesk e bukuri. Kur secila thyezë ruen bukurin e vet, mozaiku ka vlerë”.

“Të shumta janë sot vendet të cilat, të lidhuna me të njajtën origjinë kombtare, bashkëjetojnë në harmoni së bashku kristiane e myslimanë. Nji nga dëshmitë ma të bukura të kësaj harmonie, të bazueme mbi një shpirt liberal të mirëkuptimit të ndërsjellët, asht pikërisht bashkëjetesa vllaznore e myslimanëve dhe kristianve në Shqipni, Ky asht nji shembull i vlefshëm për botën mesdhetare, djepi i besimeve dhe qytetërimeve të ndryshme”.

“Njerëzit në Shqipni ushtrojnë tre besime fetare që përfaqësojnë tre qytetnime të ndryshme. Këta faktorë tepër të ndryshëm nga njëri tjetri e me kontraste të theksueme, ndikojnë në zhvillimin kulturor të kombit, pikërisht sepse zbresin dhe përpunohen mbi të njajtën bazë të përbashkët të të njajtës origjinë…”

Në shkrimet vijuese do të trajtoj tipare të tjera shqiptare, veçanërisht ndaj të cilave predikuesit fetarë dhe opinionbërësit sekularë duhet të jenë më të vëmendshëm dhe të japin kontribut kultivues.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*